2014-06-16 12:38:23

Komunikatë e ipeshkvijve për vizitën e Papës Françesku


Nunciatura Apostolike në Shqipëri dhe Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare kanë kënaqësinë të komunikojnë sa vijon:

“Shenjtëria e Tij Papë Françesku ka pranuar me kënaqësi ftesën që i ishte drejtuar, qoftë nga Konferenca Ipeshkvnore (Ipeshkëvijtë katolikë të Shqipërisë), qoftë nga Autoritetet e Shtetit Shqiptar dhe mendon të bëjë një vizitë të shkurtër në Shqipëri, të dielën, më 21 stator të këtij viti 2014.
Ky lajm është shpallur nga vetë Papë Françesku gjatë lutjes së “Angelus” në Sheshin Shën Pjetër, sot në orën 12.00.
Bëhet fjalë për një “udhëtim apostolik” gjatë të cilit Ati i Shenjtë si Ipeshkëv i Romës dhe Udhëheqës i Kishës Katolike do të ketë mundësinë, jo vetëm të takojë dhe të forcojë në fe bashkësinë katolike në Shqipëri, por edhe të inkurajojë dhe të thellojë raportet e mira tashmë ekzistuese në fushën ekumenike dhe ndërfetare në këtë Vend, si dhe të shoqërojë e të nxisë të gjithë popullin shqiptar për të përballuar me guxim, shpresë, zemërgjerësi e shpirt solidariteti sfidat e të tashmes dhe të së ardhmes që ndërthuren në ndërtimin e Shqipërisë së re të rilindur.
Ky udhëtim i Papë Françeskut ndodh 21 vite pas vizitës historike dhe të paharrueshme të bërë nga Papa Shën Gjon Pali i Dytë më 25 prill 1993, në agimin e asaj “dite të re” që për Shqipërinë, pas rënies së komunizmit, shënoi hapjen e demokracisë, të lirisë fetare dhe të të gjitha të drejtave themelore të burrit dhe të gruas.
Është i një domethënjeje shumë të lartë ky udhëtim i parë i Papë Franceskut në një Vend europian. Do të jetë udhëtimi i katërt i Tij ndërkombëtar që kur u zgjodh Ipeshkëv i Romës më 13 mars 2013: i pari ka qenë në Brazil (Amerikë), me rastin e Ditës Botërore të të Rinjëve (22-29 luglio 2013); i dyti, udhëtimi muajin e kaluar në Tokën Shenjte: Jordani, Palestinë, Izrael (Lindja e Mesme), që ka patur jehonë të madhe në mas-mediat ndërkombëtare edhe për fjalët, takimet personale dhe gjestet kurajuese të Papë Françeskut; i treti do të jetë ai, tashmë i shpallur, që do të çojë Atin e Shenjtë në Republikën e Koresë (Azi) më 14 – 18 gushtin e ardhshëm, me rastin e Takimit të VI të të rinjëve të kontinentit aziatik.
Ndër motivet që kanë sjellë Papë Françeskun të bëjë këtë vizitë të shkurtër në Shqipëri është edhe dëshmia heroike e fesë e martirëve të panumërt gjatë persekutimit të egër të besimeve të pësuar nga regjimi komunist në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, dhe shembulli i respektit të ndërsjelltë, të dialogut dhe të bashkëjetesës paqësore mes Komuniteteve të ndryshme Fetare eksistuese në këtë Vend, karakteristikë që tashmë bën pjesë në identitetin kulturor e fetar të Shqipërisë e të popullit fisnik shqiptar”.

Tiranë, më 15 qershor 2014








All the contents on this site are copyrighted ©.