2014-06-15 12:12:56

Udhëtimi apostolik


Udhëtimet e ipeshkvit të Romës jashtë kufijve të tij dioqezanë quhen udhëtime Apostolike. Kjo do të thotë se Papa udhëton, në radhë të parë, jo si kreu i shtetit të Vatikanit, as si personi që drejton subjektin e së drejtës ndërkombëtare, që quhet Selia e Shenjtë, por si pasardhësi i kreut të apostujve, të cilit Jezusi i pati thënë: “Pasi të jesh kthyer vetë, përforco vëllezërit e tu” (Lk 22, 32). Kudo që shkon, Papa sjell fjalën e Ungjillit, lajmin e mirë të dashurisë së Hyjit për njerëzit, i cili vjen nga qielli dhe i drejton njerëzit kah qielli, por pikërisht për këtë arsye ndriçon edhe realitetet tokësore.
Duke qenë se neni qendror i fesë së krishterë është mishërimi i Fjalës së Hyjit, ardhja e Birit në natyrën tonë njerëzore dhe bashkimi i Hyjit me njeriun në Krishtin, atëherë i krishteri merret me Hyjin në atë masë, në të cilën merret me njeriun dhe fatet e tij shoqërore, kulturore dhe politike. Përmasa thellësisht njerëzore e thirrjes hyjnore të të krishterit e ka përfshirë Kishën në punët e botës, pa e përzjerë me botën. Në këtë prizëm dhe në këtë kontekst, Ipeshkvi i Romës, si pasardhës i kreut të apostujve dhe kryetar i Kishës Katolike, ka udhëzuar për shekuj shtetet e krishtera, ka kurorëzuar mbretër e perandorë, për t’u kujtuar se udhëheqja politike e popujve duhet ushtruar në bindje ndaj Hyjit, i cili u bë njeri dhe është i vetmi mbret që, nga froni i kryqit, na çliron nga çdo nënshtrim.
Për shumë shekuj edhe Papa vetë ka qenë kreu i Shtetit Papnor, por forca morale ku mbështetet mesazhi i Atit të Shenjtë për kombet, buron nga fakti se ai është udhëheqësi i Selisë së Shenjtë, jo aq si subjekt sovran i të drejtës ndërkombëtare, por si institucion hyjnor për kumtimin e Ungjillit. Ajo është i vetmi instrument, që ka ekzistuar ndonjëherë, në gjendje për të krijuar rrjetin ndërkombëtar të popujve, jo duke e dobësuar, por duke e forcuar identitetin e tyre kombëtar, sepse Ungjilli mishërohet në çdo komb, duke e ruajtur natyrën kombëtare të popujve. Për këtë arsye, shumica e kombeve të botës dhe e kryetarëve të shteteve, e ftojnë Atin e Shenjtë në vizitë shtetërore, me vetëdijen se natyra e mirëfilltë e udhëtimit të tij është apostolike. Duke takuar popullin katolik të një kombi dhe duke e forcuar atë në fe, Papa i sjell dobi të gjithë kombit. Dobi dhe bekim do të jetë për kombin tonë vizita e Françeskut.








All the contents on this site are copyrighted ©.