2014-06-15 17:35:04

Solemniteti i Trinisë Shenjte, shtegtimi në Tiranë dhe thirrja për Irakun, në Engjëllin e Tënzot


Dashuria është distinktiv i të krishterit, theksoi Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar Solemnitetin e Trinisë Shenjte. Pastaj, thirrja për Irakun dhe njoftimi se do të shkojë në Tiranë, më 21 shtator.RealAudioMP3

“Në Trininë Shenjte shikojmë edhe modelin e Kishës, në të cilën jemi të ftuar ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na deshi vetë Jezusi”. Me këto fjalë Papa Françesku shpjegoi se dashuria është shenja konkrete, që shpreh besimin në Hyjin Atë, në Birin e në Shpirtin Shenjt. Distinktiv i të krishterit, kjo dashuri, ashtu si vijon të na e kujtojë Jezusi: “Prej këndej të gjithë do ta dinë se jeni dishepujt e mi: nëse do ta doni njëri-tjetrin!”.
Duke folur lirisht, pastaj, porosia për të mos rënë në kundërshti:
“Është kundërshti, të mendosh se të krishterët urrehen. Kundërshti! E këtë e kërkon gjithnjë djalli: të na bëjë të urrehemi, sepse ai mbjell përherë egjrën e urrejtjes; ai nuk di ç’është dashuria, dashuria është Zoti!”.
Të gjithë jemi të thirrur ta dëshmojmë e ta kumtojmë mesazhin e ‘Hyjit dashuri’, të dëshmojmë se Zoti nuk është larg ngjarjeve tona njerëzore:
“E kjo është dashuria e Hyjit në Jezusin. Kjo dashuri, që është tejet e vështirë për t’u kuptuar, por që ne e ndjejmë kur i afrohemi Jezusit. E ai na fal gjithnjë; Ai na pret gjithnjë; Ai na do shumë! E dashuria e Jezusit, që ne e ndjemë, është dashuria e Hyjit”.
Energjia e Trinisë Shenjte, shpjegoi, është energji dashurie, bashkimi, shërbimi reciprok, ndarjeje të përbashkët:
“Njeriu, që i do të tjerët thjesht për gëzimin e dashurisë, është pasqyrim i Trinisë Shenjte. Familja, në të cilën pjesëtarët e duan dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin, është pasqyrim i Trinisë Shenjte. Famullia, ku njerëzit duhen e ndajnë bashkë pasuritë shpirtërore dhe materiale, është pasqyrë e Trinisë Shenjte”.
Trinia dhe Eukaristia: Eukaristia është si kaçuba e ndezur, në të cilën përvujtërisht banon e komunikon Trinia Shenjte.
Prandaj Kisha e ka vënë festën e Korpit të Krishtit pas asaj të Trinisë Shenjte, tha Papa, duke kujtuar, më pas:
“Të enjten e ardhshme, sipas traditës romake, do të kremtoj Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, për të vijuar, pastaj, procesionin me të Shenjtnueshmin Sakrament. I ftoj romakët e shtegtarët të marrin pjesë, për të shprehur dëshirën të jemi ‘popull i mbledhur në unitetin e Atit, Birit e Shpirtit Shenjt”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për ngjarjet e këtyre ditëve në Irak:
“Ju ftoj të gjithëve të bashkoheni me lutjen time për kombin e dashur irakian, posaçërisht për viktimat e për ata që vuajnë më shumë për shkak të pasojave të thellimit të dhunës, sidomos, për njerëzit, ndërmjet të cilëve shumë të krishterë, që u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre”.
Përveç lutjes, edhe thirrja:
“Uroj për mbarë popullsitë siguri, paqe dhe ardhmëri me pajtim e drejtësi, që të gjithë irakianët, pavarësisht nga përkatësia fetare, të mund të ndërtojnë së bashku atdheun e tyre, duke e bërë model bashkëjetese”.
Papa i ftoi të gjithë besimtarët të luten për popullin irakian, duke i prirë ai vetë “FalemiMërisë”. Pastaj, njoftimi se do të jetë në Tiranë, më 21 shtator.
Nuk mund të mos e përfundojmë këtë lutje të jashtëzakonshme të Engjëllit të Tënzot me urimin shqip: “Mirëseardhshi, At i Shenjtë, në trojet tona, që kanë aq shumë nevojë për përforcim në fe e inkurajim, sepse vuajtën tepër gjatë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.