2014-06-15 12:12:36

Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë, më 21 shtator!


Historia e kësaj vizite nuk nis më 11 qershorin e kaluar, kur kryeministri Edi Rama, në përfundim të audiencës në Vatikan, pasi e vlerësoi lart rolin e Papës Françesku në mbrojtjen e të gjitha vlerave hyjnore e njerëzore, e ftoi të vizitojë Shqipërinë. E, përgjigjja nuk vonoi: e dëgjuam të gjithë sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Françesku do të shkelë tokën shqiptare më 21 shtator. Do të jetë papa i dytë që vjen mes nesh, gjatë dymijë vjetëve të krishterimit. Mbasi mbi tokën tonë, që ka gjithnjë nevojë për ndërmjetësues pranë Zotit, la gjurmët e veta një shenjt: Gjon Pali II.RealAudioMP3
Historia e vizitës së Françeskut i ka rrënjët shumë thellë. Duhet të nisemi që nga kohët apostolike, për ta kuptuar në kohët moderne. Po një udhë e tillë, e gjatë mijëra vjet, përshkruhet në libra të trashë, që nuk e kanë vendin këtu.
Duke ndjekur fillin e kuq, edhe fill gjaku në rrjedhë shekujsh, të kësaj historie, natyrshëm lind pyetja: “Pse pothuajse të gjithë krerët e shteteve, që takohen me Papën në Vatikan, e ftojnë për vizitë në trojet e tyre? Ç’vlera kanë shtegtimet apostolike të Papëve, deri në skajet më të largëta e më të harruara të botës? Ç’vlera ka një popull i vogël, për Kryebariun e më se një miliard katolikëve? Për të mos folur për nderimin që gëzon në mbarë njerëzimin?".

E tregon libri i historisë. Duke u nisur që nga kohët e Ilirisë së lashtë, kur një mori legatësh papnorë vizituan trojet tona, për t’i mbrojtur, me shpirtin e Ungjillit e, pse jo, edhe me mjete diplomatike, troje e banorë, gjithnjë nën kërcënime të panumërta.
E të ndalemi te historia e Skënderbeut kur, siç na lënë të kuptojmë dëshmitë historike, kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Ejëlli, i ndamë në shenjë për autoritet, madhështi e gojtari, përcillte Skënderbeun në Pulie e në Romë, si delegat i Papës dhe i Republikës së Venedikut (1463). Gjë që luajti një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Selisë Apostolike gjatë papnisë së Nikollës V (1447-1453); Kalistit III (1453-1458), Piut II (1458-1464). I doli zot Skënderbeut edhe pranë Republikës së Përshndritshme. Kur Papa Piu II shkoi në Ankonë, prej kah pritej të kalonte, pastaj, në Shqipëri e në Tokë Shenjte, deshi ta krijonte Palin kardinal. Papa dëshironte të ndalohej në Shqipëri për ta kurorëzuar Skënderbeun mbret e për ta pranuar Pal Ejëllin në Kolegjin e Kardinajve. Duke krijuar, kështu, në Shqipëri, një seli kardinalore, që do të vijonte në shekuj, nën mbrojtjen e Selisë Apostolike. Por s’qe e thënë, as këtë herë e as më vonë, shumë më vonë, në kohën kur ne po gërmojmë në karta të vjetra, për të vërtetuar sa e lashtë është lidhja e Shqipërisë me Papët.
Por të rikthehemi te Piu II, që e lamë dy hapa larg Shqipërisë e te Kryeipeshkvia e Durrësit, dy hapa larg shpalljes seli kardinalore. Dy hapat mbetën dy hapa, e s’u bë kurrë një hap i tretë e i vërtetë. Papa vdiq në Ankonë, Shqipëria mbeti pa kremtime, Skënderbeu pa kurorë e Pali pa petkat e kardinalit, të kuqe, si gjaku që derdhej rrëke rreth tij, në ndeshjen për jetë a vdekje të epokës.
Pastaj, mbi marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë ra hija e pushtimit, e islamizimit. Po kujdesi i Selisë Apostolike për ta shpëtuar Shqipërinë nga copëzimi e nga çkombëtarizimi, vijoi. Mjafton të kujtojmë Konferencën e Paqes në Paris, pas Luftës I Botërore dhe rolin që luajti dërgata shqiptare, e kryesuar nga Imzot Bumçi, ne atë çast aq delikat per fatet e Shqipërisë. Më 26 dhjetor 1919, Prelati nisej nga Parisi, drejt Romës, drejt Vatikanit, drejt Papës Benedikti XV, falë ndërmjetësimit të të cilit, Korça e Gjirokastra mbetën shqiptare. E për këtë flasin dokumentet historike.
Ashtu siç vërtetojnë se pikërisht përmes kumtarëve të Ungjillit, priftërinjve, të përgatitur nga Selia e Shenjtë, Kombi ynë mori si dhuratë gjithçka ‘të parë’: nga shkrimi i parë i shqipes, “Formula e Pagëzimit”, tek Libri i parë “Meshari”, tek shkolla e parë, ajo e Kurbinit, tek Alfabeti i parë, ai i Manastirit, e deri tek të gjitha fillesat e para e të mbara, mbi shkëmbin e të cilave vijojnë të lartohen komb, gjuhë, dije, kulturë e arte.
Deri një ditë të blertë prilli, kur në trojet tona shkeli Papa i parë, Shenjt, Gjon Pali II.
Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Kishës universale, Papa Gjon Pali II, ashtu si paraardhësit e Tij, e rrethoi gjithnjë Kishën katolike në Shqipëri me atë kujdes, që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Gjon Pali II qe përherë i gatshëm ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë e të shqiptarëve, si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës.
Më 5 tetor 1980, nga Otranto e Italisë kujtoi dhe denoncoi persekutimin e egër të komunizmit në Shqipëri. Duke soditur brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve dhe të popullit të pafajshëm shqiptar, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste. Në homelinë e Meshës Shenjte të atij 5 tetori 1980, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”.
Pas historisë së gjatë të martirizimit, erdhi dita e lirisë. E atëherë Selia Apostolike vijoi t’i jepte Shqipërisë vlera të reja, të para: Programin e parë të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe (3 shtator 1951), vizitën e parë të një Pape në trojet shqiptare (25 prill 1993) hierarkinë e parë pas persekutimit (25 prill 1991), kardinalin e parë (2 nëntor 1994), listën me 40 emrat e parë të kandidatëve për lartimin në nderimet e elterit (10 nëntor të vitit 2002), të Lumen e parë, Nënë Terezën (19 tetor 2003)
Cila do të jetë gjëja e parë, që do t’i sjellë Françesku trojeve shqiptare e grigjës së tij në këto troje? Hë për hë është njoftimi i parë (15. 06. 2014) për vizitën e Tij!








All the contents on this site are copyrighted ©.