Atë Lombardi: Papa në Shqipëri, për periferitë e dialogun
“Lajm shumë i bukur. Papa zgjedh Shqipërinë , shkon drejt periferive, drejt të varfërve
e do të kontribuojë në dialogun ndërfetar dhe ekumenik”. Kështu tha sot drejtori i
Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në bisedë me gazetarët, duke
vënë në dukje se për udhëtimin e tij të parë evropian, jo italian, Papa Françesku
zgjodhi Shqipërinë. Ka një ftesë nga ana e ipeshkvijve dhe nga ana e autoriteteve,
komentoi zëdhënësi i Vatikanit, “ka një perspektivë pozitive dhe inkurajuese”. Në
Shqipëri, sqaroi më tej atë Lombardi, katolikët janë pakicë, por emri i këtij vendi
të sjell ndërmend persekutimet dhe idenë e ndërtimit të shtetit të vetëm ateist në
botë. Gjithashtu, Shqipëria është atdheu i Nënë Terezës, konsideruar shqiptarja më
e madhe e shekullit të kaluar, aq sa urdhëri i nderit më i lartë shqiptar mban emrin
e saj. Këto, arsyet e vizitës së Papës Françesku, pas vizitës së një shenjti, atë
të Gjon Palit II, më 25 prill 1993, menjëherë pas rënies së komunizmit.