2014-06-14 18:28:30

Papa: atij që vuan i duhet dashuria e Jezusit, jo fjalimet e bukura


“Duke i ngjarë Jezusit, dhurojani zemrën më nevojtarëve!”. Ishte kjo, porosia kryesore e Papës, gjatë takimit me Grupet e Mëshirës, të njohur me emrin ‘Misericordie’ dhe me grupet donatore italiane “Fratres”, që u pritën sot në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke u folur më se 30 mijë vetëve, Papa theksoi se nuk mund të rrish duarkryq, duke bërë sehir varfërinë e vuajtjen, por duhet të bëhesh shenjë e afërsisë së Zotit.
Atin e Shenjtë e përshëndetën kryeipeshkvi i Firences, Giuseppe Betori dhe kryetari i Konfederatës Kombëtare, Roberto Trucchi, ndërsa nga grupi i “Fratres”, Luigi Cardini.

Mozaik i madh, me gurë të verdhë e blu, ngjyra të uniformave të Grupeve të Mëshirës e edhe me të bardhë e të kuq, binom kromatik i divizave të dhuruesve të gjakut, që njihen me emrin “Fratres”. Dukej kështu, sot, Sheshi i Shën Pjetrit para syve të Papës Françesku, që deshi t’u shprehte vlerësimin, me këtë takim festiv, grupeve të Mëshirës në Itali, në 770 vjetorin e themelimit. Histori shërbimi që, siç e tregonin një mori flamujsh valëvitës në Shesh, përshkoi shekuj e i nguli mirë rrënjët në këto troje. Krijoi, kështu, një përvojë që, 28 vjet më parë, pikërisht më 14 qershor, Shën Gjon Pali II e pati quajtur dëshmi e kulturës së bamirësisë. Këtë fill kapi edhe Papa Françesku, duke e zhdredhur më tej me shpjegimin e rrënjës së vetë fjalës “mëshirë”:
“I gjithë shërbimi juaj merr kuptim e formë nga kjo fjalë: mëshirë! Fjalë latine, kuptimi etimologjik i së cilës është miseris cor dare, që do të thotë, ‘t’u japësh zemrën të varfërve’, atyre që kanë nevojë, që vuajnë. Këtë bëri edhe Jezusi: e hapi zemrën e vet për të hyrë aty i gjithë mjerimi i njeriut. Ungjilli është i pasur me episode, që na paraqesin mëshirën e Jezusit, dashurinë e tij, dhurimin e vetvetes për njerëzit e vuajtur e të ligshtë”.
Nga rrëfimet ungjillore, kujtoi, mund ta vërejmë afërsinë, mirësinë, ngrohtësinë me të cilën Jezusi u afrohej të vuajturve, duke i mbushur përplot me ngushëllim. E ky, nënvizoi Ati i Shenjtë, është shembull për t’u ndjekur. Edhe ne, shtoi, jemi të thirrur t’u afrohemi e të ndajmë të mirë e të keqe me njerëzit që takojmë. Fjalët tona, gjestet tona, sjelljet tona, pohoi Papa, duhet të shprehin solidaritetin, dëshirën për të mos ndenjur larg, duke soditur dhimbjen e tjetrit. E këtë duhet ta bëjmë me ngohtësi vëllazërore, pa rënë në asnjë formë paternalizmi, larg rolit të spektatorit të akullt të varfërisë, larg prirjes për të mbajtur fjalime të bukura, larg fjalëve të thata, që nuk hyjnë në zemër të problemeve e nuk i zgjidhin kurrë konkretisht:
“Tepër fjalë, tepër fjalë, tepër, pa bërë gjë prej gjëje! Ky është rreziku! Nuk është juaji, ju punoni, punoni mirë, mirë! Por, sidoqoftë, është rrezik… Kur dëgjoj ca biseda ndërmjet njerëzve, që njohin statistikat, më mbeten në mendje fjalët: ‘Ç’barbari, ç’barbari!’. Po ti, ç’bën për ta zhdukur këtë barbari? Asgjë! Flas!’. Po fjala nuk është ilaçi, që duhet për ta shëruar sëmundjen. Fjalë kemi dëgjuar edhe tepër! Ajo që na duhet është puna, puna juaj, dëshmia e krishterë. Duhet shkuar tek të varfërit, duhet t’u afrohemi, ashtu siç bëri Jezusi”.
Jezusi, vijoi Papa, shkon nëpër rrugë, pa planifikuar takime me të varfërit, me të sëmurët, me të gjymtuarit, që i ndesh udhës. E megjithatë, vërejti Ati i Shenjtë, ndalohet me të parin që takon, duke e ndihmuar, duke u bërë shenjë e afërsisë së Hyjit, shenjë mirësie, provanie, dashurie:
“Veprimtaria e shoqatave tuaja frymëzohet nga shtatë veprat e mëshirës trupore, që më pëlqen t’i kujtoj, sepse të bën mirë t’i dëgjosh përsëri: t’u japësh për të ngrënë të uriturve; të pijnë, të eturve; të veshësh të zhveshurit; të strehosh shtegtarët; të vizitosh të sëmurët; të takosh të burgosurit; të varrosësh të vdekurit. Ju inkurajoj ta çoni përpara me gëzim veprimtarinë tuaj e ta modeloni sipas Krishtit, duke i lënë gjithë të vuajturit të vijnë, t’ju takojnë e të mbështeten në ju, në çastin e provës”.
Papa Françesku e përfundoi fjalën e tij, duke i nxitur Grupet e Mëshirës dhe Grupet “Fratres”, të jenë gjithnjë simbol i dashurisë përdëllyese të Hyjit për çdo njeri.

Ishte festë e madhe, ajo që u jetua sot në Sheshin e Shën Pjetrit. Mijëra njerëz, ardhur nga të katër anët e Italisë, me një përvojë mrekullisht të bukur mëshire, sjellë me vete nga e kaluara 770 vjeçare e grupeve të tyre, e përtërirë me veprimtari krejt të reja, në përkim të plotë me kushtet e shoqërisë së sotme, ndoqën me vëmendje porositë e Papës. E u rikthyen me forca të reja në viset e tyre, për të lenuar plagët, që vijojnë të hapen në gjymtyrët e gjalla të shoqërisë njerëzore, në shekuj.









All the contents on this site are copyrighted ©.