2014-06-12 12:55:49

Videomesazhi i Papës për kampionatin botëror të futbollit


“Kjo Kupë e Botës të zhvillohet me çiltërsi e qetësi të plotë, gjithmonë në respekt të ndërsjellë, në solidaritet dhe në vëllazëri mes burrave dhe grave, që e dinë se janë anëtarë të një familjeje të vetme”. Ky është urimi i Papës Françesku, me rastin e Kupës së Botës në futboll, që fillon sot në Brazil. Mesazhi u dha për televizionin brazilian “Rete Globo”.

Papa uron që “përveçse festë e sportit, kjo Kupë e Botës në futboll të mund të shndërrohet në festë solidariteti mes të varfërve”. “Sporti është një instrument – thotë Papa – për të përçuar vlerat, që mbështesin të mirën e njeriut dhe ndihmojnë ndërtimin e një shoqërie më paqësore dhe vëllazërore. Le të mendojmë sinqeritetin, qëndrueshmërinë, miqësinë, pjesëmarrjen e përbashkët dhe solidaritetin”. Pastaj Papa Françesku vë në dukje tre mësime që dalin nga ushtrimi i sportit, tre qëndrime thelbësore në dobi të paqes: “nevoja për t’u stërvitur”, “loja e pastër” dhe respekti për kundërshtarin. Nëse, për të fituar, nevojitet stërvitje, “në këtë përvojë sportive mund të shohim metaforën e jetës sonë”.

“Në jetë është e nevojshme të luftojmë, ‘të stërvitemi’, të angazhohemi, për të arritur rezultate të mira. Shpirti sportiv na jep, kështu, një shembull të flijimeve që duhen bërë për t’i zhvilluar virtytet, që përbëjnë karakterin e njeriut. Nëse, për të përmirësuar një njeri, nevojitet stërvitje e fortë dhe e vazhdueshme – pohon Papa – edhe më i madh duhet të jetë angazhimi për të realizuar takimin dhe paqen ndërmjet njerëzve dhe popujve ‘të përmirësuar’!”.
Edhe ‘loja e pastër’ është e rëndësishme, sepse “futbolli mund dhe duhet të jetë shkollë për formimin e kulturës së takimit, që sjell harmoni dhe paqe mes popujve”. “për të fituar – pohon Françesku – duhen kapërcyer individualizmi, egoizmi, të gjitha format e racizmit, të intolerancës dhe të instrumentalizimit të njeriut. Prandaj, nëse jemi individualist në futboll, kjo përbën një pengesë për suksesin e skuadrës; por, nëse jemi individualistë në jetë, duke i injoruar njerëzit që na rrethojnë, pasojat i mbart tërë shoqëria”.
Në fund Papa nënvizon se “sekreti i fitores në fushë, por edhe në jetë, arrihet nëse dimë të respektojmë shokun e skuadrës, si edhe kundërshtarin. Askush nuk fiton i vetëm, as në fushë, as në jetë! Askush të mos izolohet e të mos ndjehet i përjashtuar! Dhe, nëse është e vërtetë se, në fund të këtij Botërori, vetëm njëra kombëtare do të mund ta ngrejë kupën, si fitimtare, po të marrim mësimet që na jep sporti, të gjithë do të jemi fitimtarë dhe do t’i forcojmë lidhjet që na bashkojnë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.