2014-06-11 13:50:43

Vëllazëritë e "Mëshirës” do të mblidhen të shtunën në Sheshin e Shën Pjetrit


Vullnetarët e Konfederatës kombëtare të vëllazërive të “Mëshirës” së Italisë do të takojnë Papën Françesku të shtunën e ardhshme. Takimi organizohet në kujtim të audiencës së kësaj levizjeje katolike me Gjon Pali II, më 14 qershor 1986. Në të njëjtën ditë, në Sheshin e Shën Pjetrit do të mblidhen edhe anëtarët e Shoqatës Italiane të Dhuruesve të Gjakut.
Javë pas jave, sheshi që mban emrin e kreut të apostujve, si dhe rrethinat e tij, nuk duket se do të mbesin zbrazur, as ditëve të nxehta të verës. Pas pritjes me karabinierët dhe sportistët, Papa do të presë edhe vullnetarët e vëllazërive të “Mëshirës” së Italisë, të cilët do të shtegtojnë në Romë. Me këtë rast, pjesëmarrësit do të marrin bekimin e Atit të Shenjtë dhe udhëzimet e reja për veprat e solidaritetit, që kjo lëvizje kryen prej shekujsh. Takimi, në të cilin pjesëmarrësit do të shkojnë me uniformën e shërbimit, do të gjallërohet nga grupet rinore të shoqatës. Postat italiane do të nxjerrin një pullë të veçantë, për të përkujtuar këtë ngjarje.
Përveç 28 vjetorit të takimit me Gjon Palin II, 14 qershori shënon edhe ditën e njëmbëdhjetë botërore të dhuruesve të gjakut, e cila lindi si nismë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa do të përshëndesë edhe grupet e dhuruesve të gjakut, anëtarët e të cilëve quhen ‘Fratres’. Gjon Pali II u pati bërë thirrje vullnetarëve të “Mëshirës”, të mbledhur në Sallën Pali VI, për të qenë “mbështetës dhe mbrojtës të qytetërimit të dashurisë, dëshmitarë të palodhshëm të kulturës së bamirësisë”. Përveç Papës polak, “vëllezërit” i priti më 2007 edhe Benedikti XVI.
Konfederata kombëtare e vëllazërive të “Mëshirës” përbëhet nga rreth 700 vëllazëri në Itali, ku bëjnë pjesë rreth 670 000 anëtarë, të shpërndarë në të gjithë gadishullin. E themeluar më 1899 ajo mbledh vëllazëritë më të vjetra të vullnetarëve, që shënon historia, të cilat zënë fill në Firence, ku domenikani Shën Pjetri nga Verona mblodhi, më 1244, banorë të të gjitha moshave dhe shtresave shoqërore, me qëllimin “për të nderuar Hyjin me anë të veprave të mëshirës për të afërmin”, në anonimat të plotë dhe krejtësisht falas.








All the contents on this site are copyrighted ©.