2014-06-10 15:31:06

Ju kumtojmë lajmin e mirë - Mk 3,20-30


Në rubrikën “Ju kumtojmë Lajmin e Mirë”, vijojmë leximin e Ungjillit sipas Markut. Sot, kapitulli 3, 20-30. Në këtë pikë të Ungjillit, Jezusi ka ngjallur tashmë shumë interes dhe njerëzit e kërkojnë, sepse duan të dëgjojnë çfarë thotë dhe si vepron, por ende nuk e kanë të qartë kush është, nga vjen dhe cili është misioni i tij kryesor. Dimë se zgjodhi dymbëdhjetë vetë, “që të rrinin me të” (Mk 3,14) dhe “për t’i dërguar të predikojnë” (Mk 3,15). Në shoqërinë e të dymbëdhjetëve zhvillohet tërë veprimatria e tij publike.
Sot, siç ndodh shpesh në tregimin ungjillor, Jezusi gjendet në një shtëpi, ku “përsëri” – thekson Marku – përreth tij ishte mbledhur një turmë e madhe, aq sa nuk mund të hanin. Lidhja e Jezusit me turmën, deri në harresën e vetvetes dhe të nevojës për t’u ushqyer me bukë, i nervozon të vetët, aq sa thonë: “nuk është në vete” (Mk 3,21).
Nga ana tjetër, skribët, që kanë udhëtuar nga Jeruzalemi për ta parë e për ta dëgjuar, thonë se “Është i pushtuar nga Beelzebuli dhe i dëbon djajtë me anë të princit të djajve” (Mk 3,22). Jezusi është i pakuptuar si nga të vetët, ashtu edhe nga kundërshtarët e përhershëm, por gjithmonë i kërkuar nga turma dhe i rrethuar me njerëz.
Ndërsa vërejtjes së të vetëve nuk i përgjigjet, në vargjet 23-30 ai e hedh poshtë akuzën e skribëve dhe tregon shëmbëlltyrën e vjedhësit, i cili, kur hyn për të vjedhur shtëpinë e të fortit, duhet ta lidhë më parë të fortin, për t’ia paçkitur shtëpinë. Jezusi nuk e ka lejen e Beelzebulit, për t’i dëbuar djajtë, sepse “nëse një mbretëri është e ndarë në vetvete, ajo mbretëri nuk qëndron” (Mk 3,24), por ka hyrë në shtëpinë e tij dhe e ka “lidhur të fortin”. Ardhja e Jezusit në botë është hyrja e tij në shtëpinë e “të fortit”, për ta plaçkitur. Jezusi, me mësimet e tij, me shenjat, mrekullitë, por mbi të gjitha me vuajtjen, vdekjen dhe ringjalljen, e nxjerr njeriun nga pushteti i Beelzebulit, sepse sjell faljen, që e mbante peng mëkatarin. Prandaj jep këtë kumt: “Të gjitha mëkatet do t’u falen njerëzve, edhe të gjitha blasfemitë që do të thonë, por kush do të blasfemojë kundër Shpirtit të Shenjtë, nuk do të falet në amshim” (Mk 3,28-29).
Cili është mëkati kundër Shpirtit të Shenjtë? Ai që nuk na lejon të shohim në Jezusin Birin e Hyjit, që ka ardhur për ta shkëputur njeriun nga pushteti i të ligut.








All the contents on this site are copyrighted ©.