2014-06-09 14:08:12

Françesku, Peres, Abbas e Bartolomeu në Vatikan, luten për paqen


Çast historik, pamje e paparë: takimi i lutjes në Vatikan, me praninë e Françeskut e të dy presidentëve, izraelit e palestinez, Peres e Abbas, në praninë e Patriarkut të Konstandinopojës, Bartolomeu I dhe të Rojtarit të Tokës Shenjte, atë Pizzaballa. Tingëlluan në gjuhë të ndryshme lutjet, por në to ndjehej fort një gjuhë e vetme, ajo e paqes. Ishin lutje të përgjëruara për paqe në Lindjen e Mesme. Pas fjalëve të Françeskut e të dy presidentëve, u mbajt takimi privat. E në tweet-in e djeshëm, Papa shkruan: “U kërkoj të gjithë njerëzve vullnetmirë të bashkohen me ne në lutjen për paqe!”.RealAudioMP3

Forca e lutjes për sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme u ndje fuqimisht mbrëmë, në një kënd të vogël të Kopshteve të Vatikanit, ku Françesku, Shimon Peres e Mahmoud Abbas u lutën njëri pranë tjetrit. Tre çaste kryesore, për të falënderuar Hyjin e Krijimit, për të kërkuar falje e për t’u lutur për paqen, paraprirë nga përqafimi i Papës me dy liderët e ndërmjet dy prijësve. o më pak, Papa falënderoi edhe Bartolomeun I, praninë e të cilit e quajti mbështetje të çmuar dhe dëshmi të udhës së të krishterëve drejt bashkimit të tyre të plotë.
Ëndërr vëllazërimi është kjo vizitë, theksoi Papa, të cilën po e bëjmë si bij të Abrahamit, e shprehje konkrete e besimit në Hyjin, Zotin e historisë, që sot na shikon nga qielli si vëllezër e dëshiron të na prijë në udhët e Tij.
Ati i Shenjtë kujtoi, në vijim, se ky takim shoqërohej nga lutja e mijëra njerëzve nëpër botë: përfaqësues kulturash, atmesh, fesh të ndryshme, sepse i përgjigjej dëshirës së zjarrtë të gjithë atyre, që kanë etje për paqen dhe ëndërrojnë një botë, ku njerëzit mund të jetojnë si vëllezër e jo si kundështarë e as si armiq:
“Zotërinj Presidentë, bota është trashëgim, që na e lanë të parët tanë, por edhe borxh, që ua kemi pasardhësve: fëmijëve të lodhur e të këputur nga konfliktet, bijve plot me dëshirë të gëzojnë agimin e paqes, të rinjve, të cilët duan t’i shembin muret e armiqësisë e të ecin në rrugën e dialogut e të paqes, që të ngadhënjejnë dashuria e miqësia”.
Duke folur, më pas, për viktimat e luftës, Françesku theksoi se flijimi i tyre nuk duhet të jetë i kotë e kujtimi i tyre duhet t’u japë të gjithëve forcën e guximin për të ecur në rrugën e paqes, të dialogut, të durimit, për ta siguruar ditë për ditë bashkëjetesën paqësore, për lumni të Hyjit e për të mirën e të gjithëve:
“Për të bërë paqe, duhet shumë më tepër guxim se për të bërë luftë, duhet guxim për t’i thënë po takimit e jo ndeshjes, po dialogut e jo dhunës, po bisedimeve e jo armiqësive, po respektit e pakteve e jo provokimeve, po sinqeritetit e jo qëndrimeve dyfaqëshe. Për të gjithë këtë, duhet guxim, forcë e madhe shpirtërore”.
Historia tregon, kujtoi Françesku, se nuk mjaftojnë forcat njerëzore, sepse sa herë njerëzit i afrohen paqes, aq herë ndërhyn djalli për t’i penguar. Prandaj jemi këtu, theksoi, ngaqë e dimë dhe e besojmë se kemi nevojë për ndihmën e Zotit.
Duhet ta coptojmë spiralen e urrejtjes me një fjalë të vetme: “Vëlla”, e ta pranojmë se jemi bij të një Ati të vetëm.

E falënderuan me gjithë zemër Papën, për realizimin e këtij takimi në Vatikan, si Shimon Peres, ashtu edhe Mahmoud Abbas, që e morën më pas fjalën. Presidenti izraelit, duke kujtuar shtegtimin e Françeskut në Tokën Shenjte, iu drejtua Papës me fjalët: “Ju na prekët me ngrohtësinë e zemrës suaj, me sinqeritetin, me ndjetet, modestinë, mirësjelljen. I prekët zemrat e njerëzve, pavarësisht nga feja e kombësia. U paraqitët kështu, para nesh, si ndërtues i urave të vëllazërisë e të paqes. Ne të gjithë kemi nevojë për frymëzimin, që buron nga karakteri juaj, nga udha juaj”. Nga Papa, kaloi pastaj, tek paqja:
“Dy popuj, izraelitët e palestinezët e dëshirojnë me gjithë zemër paqen. Lotët e nënave mbi bijtë e tyre pikojnë ende në zemrat tona. Duhet t’u japin fund britmave, dhunës, konfliktit! Ne të gjithë kemi nevojë për paqen; paqe ndërmjet të barabartëve!”.
Të vërtetën, paqen e drejtësinë për Palestinën kërkoi edhe Mahmoud Abbas për popullin e Palestinës, për myslimanët, të krishterët, samaritanët, që dëshirojnë paqe të drejtë, jetë të denjë, liri. Abbas citoi edhe fjalët e Gjon Palit II: “Nëse paqja do të realizohet në Jeruzalem, do të dëshmohet në botën mbarë”, si dhe brohorinë e Shkrimit Shenjt: “Lum veprimtarët e paqes! Kërkoni paqe për Jeruzalemin!”. Pastaj, lutja:
“O Zot, të lutemi për paqen në Tokën Shenjte, në Palestinë e në Jeruzalem, së bashku me popullin e tij. Bëje, të lutemi, Palestinën, tokë të sigurtë për gjithë besimtarët e saj, vend lutjeje e kulti për ndjekësit e tre besimeve monoteiste: Hebraizmin, Kristianizmin e Islamin”.Me fjalët e Papës, të presidentit izraelit e atij palestinez, u mbyll takimi i lutjes për paqe në Lindjen e Mesme, vulosur nga gjesti i paqes, nga përqafimi e nga mbjellja e ullirit të paqes, për kujtim të këtij takimi, shkruar tashmë në analet e historisë, që nuk harron!







All the contents on this site are copyrighted ©.