2014-06-09 14:09:56

Atë Federico Lombardi flet për lutjen e djeshme në Vatikan


Për ngjarjen historike, që e bëri tërë botën t’i kthente sytë plot shpresë kah Toka e Shenjtë, le të dëgjojmë komentin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federico Lombardi:RealAudioMP3

Papa Françesku, në një mendje me pjesëmarrësit e tjerë në këtë takim, deshi të jepte sinjalin e fuqishëm të thirrjes drejtuar Hyjit, të hapjes dhe të një angazhimi më të madh dhe të tjetërllojshëm, në shërbim të paqes. Dhe, siç tha edhe Ati Rojtar i Tokës së Shenjtë para dy ditësh, ndoshta nuk do të shpërthejë paqja, në kuptimin që në Lindjen e Mesme nuk do të dryshojë gjendja nga njëra ditë në tjetrën; megjithatë, sigurisht njerëzit me vullnet të mirë dhe njerëzit që besojnë në Hyjin, dhanë një kontribut të ri, një kontribut të fortë, me të gjitha forcat, duke thirrur në ndihmë hirin e Zotit, dhuratën e paqes – paqja, besojmë, është dhuratë – dhe aftësisë së zemrave për t’u kthyer e për të vepruar ndryshe. Papa flet gjithmonë për kulturën e takimit: takimi i djeshëm qe me të vërtetë takim mes njerëzve, nën shenjën e fesë.

Përveç fjalëve, në takimin e djeshëm, ranë në sy gjestet...

Sigurisht. Pati shtrëngime duarsh, por pati edhe përqafime, përqafime të sinqerta, përveç mbjelljes së ullirit, që është shenja klasike e gjesteve, e çasteve në të cilët bëhen përpjekje për të ndërtuar paqen. Do të thosha se përqafimet u dukën shumë të sinqerta. Ajo që bëri më shumë përshtypje dhe që ishte gjë e dëshirueshme dhe e pritur, qe përqafimi i dy presidentëve. Ai qe edhe çasti i “çlirimit” të protagonistëve, të popujve, që e dëshirojnë sinqerisht paqen, por e kanë të vështirë të gjejnë udhën e saj. Ja, pra: kjo nostalgji për paqen, por edhe vullneti për paqen, u shprehën si duhet me përqafimet e djeshme.

Sot gazetat nënvizojnë thënien e Papës, se duhet të kemi guximin për paqen...

Vetë ky takim qe një vepër e guximshme, sepse realizmi i ndrojtur çon në shkurajimin përballë dështimeve të shumta me të cilët ndeshemi në udhën e paqes. Por, besimtari – dhe leximet e djeshme biblike e thonë këtë në shumë mënyra – është ai që vijon të shikojë kah Hyji dhe aty gjen guximin që i nevojitet. Papa flet shpesh për befasitë e historisë, që mund të vijnë nga Shpirti i Zotit, që vërshon. Për ne, besimtarët e krishterë, dje ishin Rrëshajët, çasti i zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, që e përtërin gjithësinë e krijuar. Ne besojmë se diçka e re është gjithmonë e mundur dhe këtë ia kërkojmë Hyjit e përpiqemi të vihemi edhe ne në udhë, me të gjitha forcat tona.

Çfarë rëndësie pati prania e Bartolomeut I në këtë takim?

Bartolomeu dha sinjalin e ekumenizmit të krishterë. Tek e fundit, nuk duhet të harrojmë se takimi i mbrëmshëm ishte, në një farë mënyre, përmbyllja e vërtetë e udhëtimit në Tokën e Shenjtë, sepse ngjarja u shpall dhe u përgatit gjatë udhëtimit në Tokën e Shenjtë, ku Bartolomeu ishte protagonist, bashkë me Papën, meqë takimi në Tokën e Shenjtë u organizua si përkujtim i përqafimit të Palit VI me Atenagorën. Prandaj, Bartolomeu tregoi këtë fakt: se për të gjithë të krishterët, për të gjitha bashkësitë e krishtera, edhe Jeruzalemi dhe Toka e Shenjtë janë themelore, prandaj të gjithë të krishterët e botës bashkohen me këtë dëshirë dhe me këtë lutje për paqen. Jo vetëm Papa Françesku, me karizmën e tij; jo vetëm katolikët, por të gjithë të krishterët bashkohen me të gjithë besimtarët, hebrenj e myslimanë, për të kërkuar paqen në këtë rajon, që është shumë i rëndësishëm për të gjithë. Për këtë arsye ishte e rëndësishme që dje të ishte i pranishëm Patriarku greko-ortodoks i Jeruzalemit, Teofili, “i pari” o bashkësisë së krishterë të Jeruzalemit, si edhe Patriarku latin Twal.








All the contents on this site are copyrighted ©.