2014-06-08 16:33:43

Zgjedhjet në Kosovë. Sfida: të zhduket papunësia


E gjithë Kosova sot, pranë kutive të votimit, për zgjedhjet politike të parakohshme, me masa të rrepta kontrolli e sigurie. Janë zgjedhjet e dyta parlamentare pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, pavarësi, që deri tani njihet nga 106 vende. Pavarësisht se nuk e njeh Kosovën si shtet, qeveria e Beogradit i ftoi serbët e vendit të votojnë. Dy forcat politike kryesore – Partia Demokratike e Kosovës e kryeministrit Hashim Thaçi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryesuar nga Isa Mustafa – kanë të njëjtën peshë në sondazhet parazgjedhore. Forca e tretë, që krijon konsensus, është lëvizja nacionaliste “Vetëvendosja” e Albin Kurtit. Fushata zgjedhore u përqendrua në gjendjen e vështirë ekonomike dhe në luftën kundër korrupsionit e kriminalitetit. Në mikrofonin tonë, don Lush Gjergji, vikari i përgjithshëm i Administratës Apostolike të Prizrenit:
Presim sidomos të kemi një qeveri, që të merret kryesisht me çështjet ekonomike. Problemi kryesor, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin, e fatkeqësisht edhe për një pjesë të madhe të Evropës, është puna, papunësia. Prandaj, duhet të përpiqemi t’i japim një shtysë pozitive ekonomisë, përmes bujqësisë, por sidomos përmes minierave, që janë thesar i madh për Kosovën.
Ndokush prej vëzhguesve ndërkombëtarë vëren se këto zgjedhje kanë rëndësi deri në një farë niveli, pasi Kosova është një lloj “protektorati” ndërkombëtar. Kosovarët janë të kënaqur me këtë, apo duan më tepër autonomi politike?
Me tepër vetëadministrim, sidomos politik dhe ekonomik, prandaj zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, sepse tashmë një pjesë e mirë e pushtetit ka kaluar në dorën e kosovarëve. Këtu ne kemi dy realitete ndërkombëtare: KFOR-in e udhëhequr nga NATO-ja dhe Eulex-in, strukturën e Bashkimit Evropian. Këto dy realitete kanë peshë e shihen me sy të mirë nga popullsia. Por për një pjesë të madhe, Kosova nuk varet më, të paktën drejtpërdrejt, nga administrimi ndërkombëtar.
A mund të mendohet një Kosovë pa ushtarët e forcës ndërkombëtare të paqes?
Nga pikpamja e situatës politike, mendoj se po, por nga pikpamja e strategjisë së garantimit të paqes, mendoj se nuk mund të përfytyrohet më Ballkani pa praninë e NATO-s.








All the contents on this site are copyrighted ©.