2014-06-08 16:53:00

Telefonatë e Papës për pjesëmarrësit e shtegtimit Macerata-Loreto


“Mos kini frikë të ëndërroni një botë më të drejtë”, kështu i inkurajoi Papa Françesku dhjetra mijëra të rinjtë, të cilëve u telefonoi mbrëmë, ndërsa ishin të mbledhur në stadiumin Helvia Recina në Macerata, etapa e parë e shtegtimit në këmbë drejt Loretos. Ky shtegtim organizohet çdo vit nga Lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim”. Përurimi i edicionit të 36-të, me meshën e kremtuar nga kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit.
Nëse Zoti është Hyji i të papriturave, ushtoi në stadium zëri i Françeskut, mos kini frikë të ëndërroni një botë më të drejtë, të pyesni, të dyshoni e të thelloheni më tej. Ju e dini se feja nuk është trashëgimi, që e marrim nga të tjerët, feja nuk është mall që blihet, por është përgjigjja e dashurisë, që e japim lirisht dhe e ushqejmë përditë me durim, ndër suksese e dështime. Mos kini frikë ta lini veten në krahët e Zotit; Hyji nuk do t’ju kërkojë asgjë, përveçse për ta bekuar, shumëfishuar, për t’jua kthyer 100 herë aq:
“Jam vërtet i lumtur që shtegtimi juaj, këtë vit, zhvillohet pikërisht në natën, që i paraprin festës së Shpirtit Shenjt, Rrëshajëve, si edhe takimit të lutjes, që do të mbahet nesër në Vatikan për të kërkuar dhuratën e paqes në Tokën Shenjte, në Lindjen e Mesme e në mbarë botën”.
E pastaj, sërish, Papa i këshilloi të rinjtë: “mos lejoni t’ju shkurajojnë dështakët ose frikacakët, që duan t’ju marrin ëndërrat, që duan t’ju mbyllin në mendësitë e tyre të errta, në vend që t’ju lënë të fluturoni drejt dritës së shpresës. Ju lutem: mos bini në mediokritet! Në atë mediokritet që të përul, që të bën ngjyrë gri… Por jeta nuk është gri, jeta duhet luajtur për idealet e mëdha, për gjërat e mëdha”:
“…vazhdoni të rrezatoni përreth jush dritë e shpresë. E ta dini: shpresa nuk zhgënjen, nuk zhgënjen kurrë! Asgjë nuk humbet me Zotin, por pa Të, gjithçka është e humbur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.