2014-06-08 13:22:54

Shenjtorët e javës 9 - 15 qershor


Më 9 qershor përkujtohet Shën Efremi. U lind në Nisibi të Mesopotamisë, nën pushtimin Romak. U pagëzua në moshën 18 vjeçare dhe u bë mik me Ipeshkvin e qytetit, që quhej Jakob. Së bashku themeluan dhe drejtuan një shkollë teologjie. Jakobi, i cili gjithashtu nderohet si shenjtor, e shuguroi diakon para vitit 338. Efremi jetoi dhe veproi në Nisibi, deri në pushtimin perisan, ndërsa vitet e fundit të jetës i kaloi në Edesë, ku vdiq më 19 qershor 373.RealAudioMP3
Më 10 qershor përkujtohet Shën Asteri. Mbështetësit e herezisë ariane e dërguan në koncilin e Sardikës, më 343, me misionin për të paditur Shën Athanasin, por ai i zbuloi kurthet e heretikëve dhe, pa u trembur nga kërcënimet, kaloi nga ana e të paditurve. Dëshminë për të na e ka lënë vetë Athanasi.
Më 11 qershor përkujtohet Shën Barnaba, Apostull. Barnaba, nga Qipro, u dha apostujve fitimet që nxori nga shitja e arave të veta: “Kështu Jozefi, të cilin apostujt e thërrisnin Barnaba, levit me prejardhje nga Qipro, që zotëronte një arë, e shiti dhe shumën e fituar e vuri tek këmbët e apostujve. Duke qenë se ishte njeri i virtytshëm dhe plot me Shpirtin e Shenjtë e me fe, u bënte thirrje të gjithëve, që të qëndronin me zemër të palëkundshme në Zotin” – thotë Besëlidhja e Re.
Më 12 qershor përkujtohet Shën Eskili, ipeshkëv. Libri romak i martirëve shkruan për të: Në Suedi, Shën Eskili, ipeshkëv e martir, me prejardhje angleze, i shuguruar ipeshkëv nga mësuesi i tij Sigfridi, nuk i kurseu forcat për të kumtuar Krishtin ndër paganët e provincës së Sëdermanlandit, të cilët, pastaj, e vranë me gurë.
Më 13 qershor përkujtohet Shën Andou i Padovës. U lind në Lisbonë dhe në moshën 15 vjeçare hyri në kuvendin e Kanonikëve Rregulltarë të Shën Agostinit. Më 1219 shugurohet meshtar. Më 1220 mbërrijnë në Coimbra trupat e pesë fretërve françeskanë, të martirizuar në Marok, ku kishin shkuar për të predikuar, me kërkesën e Shën Françeskut të Asizit. Pasi mori miratimin e provincialit françeskan të Spanjës dhe të priorit agostinian, Shën Andou, i cili ende quhej Fernando, hyn në urdhrin e Françeskut të Asizit dhe merr emrin me të cilin e njeh gjithë bota. Shkon në Asizi për të marrë pjesë në kapitullin e përgjithshëm të Urdhrit dhe ka rastin të dëgjojë Françeskun, por jo të njihet personalisht me të. Më vonë Françesku e dërgoi për të predikuar në Italinë qendrore, në atë veriore dhe në Francë. Më 1227 bëhet provincial i Italisë veriore dhe vijon të predikojë. Më 13 qershor 1231 gjendet në Camposampiero dhe, pasi nuk ndjehet mirë, kërkon ta çojnë në Padovë, ku dëshiron të vdesë. Aty jep shpirt në kuvendin e Arçelës.
Më 14 qershor përkujtohet Shën Metodi i Kostandinopojës. Me prejardhje nga Sicilia, Metodi u bë murg në ishullin e Kios, para se Patriarku i Kostandinopojës, Shën Nikofori ta thërriste në atë qytet. Ishte koha kur kishte arritur kulmin sulmi kundër ikonave. Pasi perandori Leoni V Armen e hoqi nga froni Patriarkun e Kostandinopojës, Metodi shkoi në Romë, për të njoftuar Papën Paskuali I rreth kësaj ngjarjeje. Kur vdiq Leoni, Papa e dërgoi Metodin në kryeqytetin e perandorisë lindore me një letër, në të cilën kërkonte që të pranohej si patriark i ligjshëm. Por lufta nuk kishte mbaruar ende: në Kostandinopojë e priste burgu, ku iu desh të rrinte për shumë vite. Vetëm pas ardhjes në Fronin perandorak të Shën Teodorës, u ndryshua qëndrimi ndaj ikonave dhe Metodi u kthye në selinë patriarkale të Kostandinopojës. Vdiq më 847.
Më 15 qershor është e diel, festa e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.