2014-06-08 20:30:17

Peresh: kemi nevojë për paqe ndërmjet të barabartëve


“Vij nga Qyteti Shenjt i Jeruzalemit”: këto ishin fjalët e para të presidentit izraelit Peresh drejtuar Papës. Vij t’ju falënderoj për këtë takim të pazakontë. Qyteti Shenjt i Jeruzalemit është zemra e popullit hebraik, zemër që rreh fort. E në hebraishten e lashtë fjala Jeruzalem e fjala paqe kanë të njëjtën rrënjë. Paqja është vetë vizioni i Jeruzalemit, vijoi presidenti izraelit, duke cituar, më pas, Psalmin 122, 6-9:
“Lutuni për paqen e Jeruzalemit!
U priftë e mbara atyre që të duan.
Paqja mbretëroftë në muret e tua,
siguria, në pallatet e tua.
E unë do të them: “Paqja me ty”,
e do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!”
Më pas, duke kujtuar shtegtimin e Françeskut në Tokën Shenjte, Peresh iu drejtua Papës me fjalët: “Ju na prekët me ngrohtësinë e zemrës suaj, me sinqeritetin, me ndjetet, modestinë, mirësjelljen. I prekët zemrat e njerëzve, pavarësisht nga feja e kombësia. U paraqitët kështu, para nesh, si ndërtues i urave të vëllazërisë e të paqes. Ne të gjithë kemi nevojë për frymëzimin, që buron nga karakteri juaj, nga udha juaj”. Nga Papa, tek paqja, për të cilën organizohej kjo lutje, paqe që, theksoi, e dëshirojnë me gjithë zemër sa izraelitët, aq edhe palestinezët.
Prekëse, fjalët kushtuar pasojave të konfliktit: “Lotët e nënave mbi bijtë e tyre pikojnë ende në zemrat tona. Duhet t’u japin fund britmave, dhunës, konfliktit! Ne të gjithë kemi nevojë për paqen; paqe ndërmjet të barabartëve!”.
Duke vlerësuar lart ftesën për këtë takim lutjeje, si vizion e frymëzim i Papës për paqen, presidenti Peresh citoi Librin e Fjalëve të Urta, për të kujtuar se Libri i Librave imponon pikërisht rrugën e paqes dhe kërkon të punohet për realizimin e saj: “Udhët tona duhet të jenë udhë hiri; e shtigjet, paqe”, vijoi Peresh, për të cituar më pas Rabbi Akivën, që e përmbledh Ligjin në një frazë të vetme: “Duaje të afërmin si vetveten”. Të gjithë jemi të barabartë para Zotit, pjesë e familjes njerëzore, të paplotë, kur nuk kemi paqe, vijoi e, me vetëdijen se paqja nuk arrihet lehtë, citoi përsëri Biblën, duke u ndaluar rishtas tek Libri i Psalmeve, ku lexojmë: “Nëse e do jetën e dëshiron të jetosh gjatë, ruaje gjuhën nga e keqja e buzët, nga gënjeshtra. Ik nga mbrapshtia e bëj mirë, kërkoje paqen e ec në gjurmët e saj”. Në këto gjurmë, shtoi, duhet të ecim. Çdo vit. Çdo ditë.
E pastaj, bekimi simbolik izraelit e palestinez: “Shalom! Salam!”.
Edhe kur paqja duket larg, vijoi Peresh, ne duhet ta ndjekim, që ta bëjmë të afërt. Po ta ndjekim me ngulm, me fe, do ta arrijmë. E ajo do të vijojë falë nesh, falë besimtarëve të të gjitha feve, të të gjitha kombeve, siç rri shkruar: “Do t’i kthejnë shpatat në palla parmendash e shigjetat në drapinj. Një popull nuk do ta shpërvjelë më shpatën kundër një populli tjetër, as nuk do të ushtrohen më në artin e luftës”.
Shpirti lartohet, kur lexon këto vargje të vizionit të amshuar, vijoi plot optimizëm presidenti izraelit. E ne mundemi, së bashku e tani, izraelitë e palestinezë, ta shndërrojmë vizionin tonë të fisëm, në realitet mirëqeniejeje e begatie. E kemi në dorë t’u sigurojmë paqen bijve tanë. Është detyra jonë, mision shenjt i prindërve, nënvizoi presidenti izraelit, që ashtu si e nisi, edhe e përfundoi fjalën e tij: me një lutje:
“Ai, që e bën paqen në qiell, e bëftë paqen mbi ne, mbi Izraelin e mbi botën mbarë! Amen!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.