2014-06-08 12:46:52

Papa:Shpirti Shenjt na bën të flasim me njerëzit, duke u kumtuar me përvuajtëri Fjalën e Zotit


Krishti vazhdon të dërgojë Shpirtin Shenjt mbi Kishën e tij: “pa Të nuk ka mision”. Kështu tha Papa Françesku gjatë meshës së sotme, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Rrëshajëve. Papa kujtoi tri karakteristika të Shpirtit Shenjt, i cili “na tregon udhën”, “na kujton fjalët e Jezusit” dhe “na bën të flasim me Zotin ne lutje… e me njerëzit në dialog vëllazëror e në profeci”.RealAudioMP3
Eja o Shpirt Shenjt! Nga goja e besimtarëve, si një zë i vetëm, u përhap në të gjithë kishën lutja që Shpirti i Shenjtë të vijë mbi të gjithë, ashtu siç pati ardhur mbi dishepujt në Çenakull. Ngjarje që përsëritet, nënvizoi Papa në homeli, ngjarje që e gjallëron dhe e përtërin Kishën. Duke përvijuar tri tipare të Shpirtit Shenjt, Papa theksoi: më shumë se Mësues i doktrinës, Shpirti Shenjt është Mësues i jetës, ai i brendshmi, që na udhëheq në shtigjet e duhura në të gjitha situatat e na mëson të ndjekim Jezusin. Pastaj, Ai na kujton gjithçka pati thënë Jezusi. Kjo gjë, shpjegoi Papa, nuk ka të bëjë thjesht me kujtesën, por me kuptimin e fjalëve të Jezusit, në të cilat Shpirti i Shenjtë na bën të hyjmë thellë. Sa më shumë t’i përgjigjemi me bujari kësaj vepre të Shpirtit Shenjt, aq më shumë Fjalët e Jezusit kthehen në dëshmi përmes nesh:
“Në thelb, Shpirti Shenjt na kujton urdhërimin e dashurisë e na kërkon ta jetojmë. Një i krishterë pa kujtesë nuk është i krishterë i vërtetë: është i krishterë përgjysëm, është burrë apo grua peng e çastit, që nuk e kthen në thesar historinë e vet, nuk di ta interpretojë e ta jetojë si histori shëlbimi”.
Por, vazhdoi Papa, me ndihmën e Shpirtit Shenjt mund të interpretojmë aspiratat tona të brendshme dhe ngjarjet e jetës në dritën e fjalëve të Jezusit:
“Kështu rritet brenda nesh dija e kujtesës, dija e zemrës, që është dhuratë e Shpirtit. Shpirti i Shenjtë përtëriftë në të gjithë ne kujtesën e krishterë!”.
Papa Françesku iu lut edhe shën Marisë të na ndihmojë të kujtojmë e pastaj u përqendrua në tiparin e tretë të Shpirtit Shenjtë. Ai, tha Papa, na bën të flasim me Zotin e me njerëzit: me Zotin, përmes lutjes, duke e thirrur Atë; me njerëzit, përmes dialogut vëllazëror, duke i kuptuar ankthet e shpresat e tyre:
“Por Shpirti Shenjt na bën të flasim edhe me njerëzit në profeci, pra, duke u bërë ‘kanale’ të përvuajtë e të butë të Fjalës së Zotit. Profecia thuhet me çiltërsi, për të treguar haptas kontradiktat dhe padrejtësitë, por gjithnjë me butësi e me qëllim të mirë. Të depërtuar nga Shpirti i dashurisë, mund të jemi shenja e mjete të Zotit, që na do, që shërben, që dhuron jetën për ne”.
Në ditën e Rrëshajëve, Kisha lind për t’u nisur të kumtojë Lajmin e Mirë. Papa kujtoi dy nëna: Kishën Nënë dhe Nënën e Zotit, shën Marinë. Të dyja virgjëra, nënvizoi, të dyja nëna, të dyja femra, që nisen për të shërbyer. E kur duhet shërbyer? Papa kujtoi se Jezusi qe i vendosur me apostujt, të cilëve u tha të mos largohen nga Jeruzalemi pa marrë Shpirtin Shenjt. Pa Të, përfundoi Papa, nuk ka mision, nuk ka ungjillëzim, nuk ka shërbim.








All the contents on this site are copyrighted ©.