2014-06-08 18:05:30

Galaktikat në qendër të shkollës verore të Observatorit Vatikanas


U hap dje, në Vilat Papnore të Kastel Gandolfos, shkolla e 14-të verore e Observatorit Vatikanas, sivjet me temë: “Galaktika të afërta e të largëta, të reja e të lashta”. Marrin pjesë 25 studentë e të diplomuar në astronomi (13 burra e 12 gra) nga 22 kombe të ndryshme si dhe dy seminaristë, që studiojnë astronominë, një italian e një kanadez. Kursin e drejtojnë katër specialistë të vrojtimit e të teorisë mbi galaktikat, kryesuar nga profesor John Stokes i Qendrës së Astrofizikës e Astronomisë kozmike të Universitetit të Kolorados. Me të, edhe Christopher Carilli, i Observatorit Radioastronomik Very Large Array të Sokoros, në Nju Meksiko; profesor Mikele Trenti i Universitetit të Kembrixhit dhe profesoresha Zhakëlinë van Gorkom, e Universitetit Columbia të Nju Jorkut. Veprimtaria verore e Observatorit vatikanas nisi më 1986, me synim që t’u krijojë të rinjve, në përfundim të kurseve universitare, mundësinë t’i thellojnë disa nga argumentet e studimeve të tyre. Për temën e galaktikave flet, në mikrofonin tonë, drejtori i Observatorit të Vatikanit, ati jezuit, José Gabriel Funes:

Përgjigje: - Universi përbëhet nga 100 miliard galaktika; e nëse e ndajmë numrin e galaktikave të universit sipas popullsisë botërore, secilit nga ne i takojnë 14 galaktika. Galaktikat e universit janë po aq të shumta, sa neuronet e trurit tonë. Ka shumë rëndësi të kuptohet formimi dhe evolucioni i galaktikave. Galaktika të afërta me ne, do me thënë të vjetra, sepse mosha e universit është rreth 14 miliard vjet. T’i dallosh të lashtat e të kuptosh si ishin, kur qenë të reja, është argument tejet interesant për astronominë.
Pyetje: - Në audiencën e përgjithshme të 21 majit, Papa Françesku foli për dhuratën e dijes, duke theksuar: “Dija, që vjen nga Shpirti Shenjt është dhanti e posaçme e na ndihmon të kuptojmë, përmes Krijimit, madhështinë dhe dashurinë e Hyjit si dhe lidhjen e Tij të thellë me çdo krijesë….
Përgjigje: - Krijimi, gjithësia, është dhanti e Hyjit; e dhanti e Tij është edhe inteligjenca jonë, aftësia jonë për të kuptuar, për t’i gjetur ato ligje të fizikës, që na krijojnë mundësi ta kuptojmë universin, të depërtojmë në brendësi të fshehtësive të tij. E kjo është shumë e bukur; të mendosh se Hyji na e jep këtë aftësi të zbulojmë ligjet e fizikës, të kuptojmë si funksionon universi. Nganjëherë vizioni i cekët i njeriut dhe i shkencës të shtyn të mendosh se Hyji ia mbyll njeriut porta e dritare. E kështu ai nuk arrin të mendojë e as të kuptojë mirë. Në audiencën e përgjithshme e edhe në nxitjen e tij apostolike Evangelii Gaudium, Papa Françesku e thotë qartë se feja nuk ka frikë nga shkenca e as nga zbulimet shkencore.
Pyetje: - Atë Funes, si mund t’i bëjmë njerëzit, të rinjtë sidomos, ta duan shkencën, të thellojnë kureshtjen e tyre shkencore?

Përgjigje: - Mendoj se duhet të përpiqemi t’i sensibilizojmë të rinjtë gjatë viteve të shkollës. Shumë herë lëndët e shkencave, fizika e matematika sidomos, paraqiten në mënyrë tejet abstrakte, thellësisht të vështira, të kuptueshme vetëm për një grup të vogël. Observatori vatikanas mbështetet tek të rinjtë, beson e shpreson në ta e dëshiron të vijnë këtu: u japim, prandaj, bursa studimi këtyre të rinjve, nga të gjitha vendet, që të mund të vijnë, ta kenë këtë mundësi, të shkëmbejnë mendime me profesorët, me specialistët në këtë fushë. Kjo u hap shumë porta, që janë tejet të rëndësishme për këta të rinj e për karrierën e tyre shkencore, edhe në vendet e tyre. Ky është një grup ndërkombëtar, ndërfetar, ndërkulturor. Përvoja për ne, për profesorët që vijnë, është shumë e pasur, sepse bëhet fjalë për një kontekst tejet të veçantë, atë të Vilave Papnore, të punës në Vatikan. E edhe sepse shkëmbimi i mendimeve nuk është vetëm shkencor, por edhe njerëzor. Krijohen njohje, miqësi, që, siç e shikojmë tek ish-nxënësit, vijojnë për shumë vjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.