2014-06-08 20:32:33

Abbas: dëshirojmë paqen për ne e për fqinjët tanë


Pas përshëndetjeve drejtuar gjithë të pranishmëve, Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e falënderoi nga zemra Papën për këtë takim në Vatikan dhe vlerësoi lart vizitën papnore në Tokën Shenjte të Palestinës, posaçërisht në Jeruzalem e në Betlehem: qytet i dashurisë e i paqes, djep i Jezu Krishtit, duke e parë si shprehje të sinqertë të besimit në paqen dhe si përpjekje të besueshme për vendosjen e paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve.
Ishte konceptuar si lutje, e gjithë fjala e Presidentit Abbas në këtë takim. Si lutje e gjatë, drejtuar Zotit të gjithëpushtetshëm, duke i lypur dhuratën e paqes:
“O Zot, ne të falënderojmë, që bëre Jeruzalemin, portën tonë për qiell. Siç thotë Kurani: ‘Lumni i qoftë Atij, që e bëri shërbëtorin e vet të shtegtojë natën nga vendi shenjt i adhurimit, tek vendi më i lartë i adhurimit, rrethinat e të cilit ne i bekuam’.
O Hyj i qiellit e i tokës, pranoje lutjen time për realizimin e së vërtetës, të paqes, të drejtësisë në atdheun tim, Palestinën, në rajon e në botën mbarë!
Të lutem, o Zot, në emër të popullit tim, popullit të Palestinës, të myslimanëve, të krishterëve, samaritanëve, që dëshirojnë me gjithë zemër paqe të drejtë, jetë të denjë, liri: të lutem, o Zot, ta bësh ardhmërinë e popullit tonë të begatë, premtuese, të lirë, në një shtet sovran e të pavarur! Jepi, o Zot, zonës sonë e popullit të saj, siguri, shpëtim, stabilitet! Shpëtoje Qytetin Shenjt Jeruzalemin: i pari Kibleh, e dyta Xhami e Shenjtë, e treta nga dy Xhamitë Tuaja të Shenjta, Qytet i bekimit e i paqes, me gjithçka e rrethon”.
Pajtim e paqe i kërkoi Zotit presidenti, sepse pikërisht këto janë caku, vijoi, duke cituar, gjithnjë në lutje, Librin Shenjt, që kërkon: “Bëni paqe ndërmjet jush!” e Profetin Mahamet, që porosit: “Përhapeni paqen ndërmjet jush!”.
Sot, vijoi, ne përsërisim atë, që u thotë Jezu Krishti banorëve të Jeruzalemit: “O, po ta kuptoje ti sot udhën e paqes” (Lk 19,42), fjalët e Gjon Palit II: “Nëse paqja do të realizohet në Jeruzalem, do të dëshmohet në botën mbarë” dhe brohorinë e Shkrimit Shenjt: “Lum veprimtarët e paqes! Kërkoni paqe për Jeruzalemin!”.
Më pas, lutja e përgjëruar e Presidentit palestinez: “O Zot, të lutemi për paqen në Tokën Shenjte, në Palestinë e në Jeruzalem, së bashku me popullin e tij. Bëje, të lutemi, Palestinën, tokë të sigurtë për gjithë besimtarët e saj, vend lutjeje e kulti për ndjekësit e tre besimeve monoteiste: Hebraizmin, Kristianizmin e Islamin, e për gjithë ata, që duan ta vizitojnë, siç shkruhet në Kuranin Shenjt.
O Zot, Ti je paqja e paqe përhapet nga Ti. O Zot i lumnisë e i madhërisë, jepna siguri e shpëtim, lehtësoi vuajtjet e popullit tim në atdhe e në diasporë.
O Zot, silli një paqe të drejtë vendit tonë e rajonit, që populli ynë, popujt e Lindjes së Mesme e bota mbarë t’i gëzojnë frytet e paqes, të stabilitetit, të bashkëjetesës.
E dëshirojmë paqen për ne e për të afërmit tanë. Lutemi për prosperitet e mendime paqeje, për ne e për të tjerët. O Zot, përgjigjju lutjeve tona e jepjua të mbarën nismave tona, sepse Ti je më i drejti, më i mëshirshmi, je Zoti i botëve. Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.