Papa Françesku në salikimin e kardinalit Lourdusamy në Shën Pjetër
Nga India në Romë, si shërbëtor besnik i Kishës: kështu e kujtoi kardinali Anxhelo
Sodano, prelatin indian Simon Lourdusamy, i cili ndërroi jetë të hënën, në moshën
90-vjeçare. Mesha me ritet e salikimit u kremtua sot në Bazilikën e Shën Pjetrit në
Vatikan. Homelinë e mbajti kardinali Sodano, ndërsa Papa Françesku kryesoi ritin e
Porosive të Fundit (Ultima Commendatio) dhe atë të Ndarjes (Valedictio). Kardinali
indian ka qenë prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore. Dekani i Kolegjit kardinalor,
Anxhelo Sodano, gjatë homelisë kujtoi biografinë e të ndjerit. Shërbeu për mëse dhjetë
vjet në kryedioqezën e Pondicherry-t e për gati dhjetë vjet të tjera qe bariu i kryedioqezës
së Bangalores. Më pas, Papa Pali VI e thirri në Romë për të punuar në Kongregatën
misionare Propaganda Fide. Për njëzet vjet me radhë ia kushtoi gjithë energjitë kauzës
së ungjillëzimit të popujve. Qe shën Gjon Pali II që e krijoi kardinal më 25 maj 1985.
Po atë vit, i dha detyrën e prefektit të Kongregatës për Kishat Lindore dhe të Kancelarit
të Madh të Institutit Papnor Lindor. Pas vitit 1993 ka qenë protodiakon i Kishës Katolike
Romake, derisa, i sprovuar nga sëmundja, vazhdoi t’i shërbejë asaj me lutje, duke
ia dhuruar vuajtjet e tij Zotit. Pushoftë në paqe!