2014-06-04 15:10:03

Zgjedhjet evropiane sipas revistës së ipeshkvinjve evropianë


“Tjetërsimi, që doli nga zgjedhjet”, “kriza e ligjshmërisë”, që duhet të përballojë Parlamenti evropian dhe prania e “partive të angazhuara jo për ta reformuar Bashkimin Evropian, por për ta bllokuar, ose deri edhe për ta shkatërruar”: janë tri të dhënat që bien në sy pas zgjedhjeve evropiane, sipas jezuitit Frank Turner. Por, “një politikë e përcaktuar nga negativiteti nuk mund të ndërtojë të ardhmen”, shkruan Turner në editorialin e numrit të qershorit të revistës së përmuajshme “Europeinfos”, organ i Komisionit të Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (Comece). “Vetëm ndjenja e zhvilluar e bashkësisë politike, në nivel rajonal, kombëtar e tejkombëtar, që pranon solidaritetin dhe përgjegjësinë për të tjerët, mund ta sigurojë të ardhmen”. Artikulli i Johanna Touzel i kushtohet ndërrimit të legjislaturës pas votimit të 25 majit. Ajo përshkruan “garën e Sudokut”, që është hapur mes partive, për të krijuar “grupet politike në Parlamentin evropian”.
Pyetja që shtron Touzel merret me modalitetet me të cilat partitë nacionaliste dhe antievropiane, me programe shumë të ndryshme mes tyre, do të mund të formojnë një grup brenda gjysmërrethit, siç quhet salla e Parlamentit. Nuk u mbetet rrugë tjetër, përveçse “të mendojnë në mënyrë evropiane e jo kombëtare”. Stefan Lunte, nga ana e tij, përshkruan rrugët e mundshme që do të rrahë tani Këshilli Evropian për të caktuar Kryetarin e Komisionit, në duelin, që është hapur, mes Këshillit të Evropës dhe Parlamentit të Strasburgut.
“Qytetarët evropianë gëzojnë lirinë e madhe të lëvizjes kur punojnë, por kjo liri është shumë e kufizuar kur ngecin ekonomikisht”. Këtë situatë e shpjegon Jose Luis Bazan, i cili përshkruan mundësinë, që legjislacioni i Bashkimit Evropian t’u japë shteteve anëtare të drejtën për të dëbuar një qytetar evropian, nëse bëhet “peshë e paarsyeshme” për vendin që e pret. Bazan flet edhe për kufizimet e forta të së drejtës për banim, dhe thotë se “koncepti i nënshtetësisë evropiane është ende i paplotë”.
Numri i qershorit i revistës së Comece-së flet edhe për “Copernicus”, programi pararojë i Bashkimit Evropian kushtuar vrojtimit të globit tokësor me anë të një serie satelitësh, prej të cilëve Rojatri 1A gjendet tashmë në orbitë që nga fillimi i prillit, për të monitoruar gjendejn mjedisore dhe sigurinë e planetit. Dhe, në fund, Jose Ignacio Garcia shkruan për Bankën Qendrore Evropiane dhe për rrezikun e rënies në një pengesë të paparashikuar, që do të ishte deflacioni, për shkak të rritjes së ngadalshme ekonomike.








All the contents on this site are copyrighted ©.