2014-06-04 15:10:19

Një radio ndërkombëtare për emergjencat. Merr pjesë edhe Radio Vatikani


Radio Vatikani, si anëtare e Konferencës së Koordinimit të Frekuencave të Larta (High Frequency Co-ordination Conference), organizmi ndërkombëtar, që merret me trensmetimet ndërkombëtare me valë të shkurtra dhe që rregullon përdorimin e këtyre frekuencave në vendet e ndryshme, është bërë pjesë e një nisme që synon të nënvizojë rëndësinë e përdorimit të valëve të shkurtra për të transmetuar në rastet e fatkeqësive natyrore ose urgjencave të tjera të mundshme.
Me rastin e mbledhjes së ardhshme të kësaj Konference, që do të mbahet në Xhakarta më 5-6 qershor, të gjitha emitentet ndërkombëtare, që marrin pjesë në këtë organizatë, do të japin transmetime të veçanta, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe të bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me nevojën për të ngritur një rrjet radiofonik ndërkombëtar me valë të shkurtra, të pajisur me instrumenta dhe mundësi të gatshme për përdorim, me synimin për të ndihmuar në gjendje emergjencash.
Me këtë rast Radio Vatikani do të transmetojë për vendet e Azisë një program prej 30 minutash, realizuar nga BBC. Projekti mund të shihet i plotë në adresën e internetit
.
Aspektit humanitar ka rëndësi themelore në palimpsestet e emitenteve të mëdha ndërkombëtare. Mjafton të mendojmë punën e palodhshme të Radio Vatikanit për të lidhur familjarët e ndarë për shkak të Luftës së Dytë Botërore, ose, tani vonë, njoftimet për refugjatët me prejardhje nga Ballkani gjatë luftës së Kosovës.
Valët e shkurtra janë mjaft të arritshme, sepse nuk kushtojnë shumë, dhe, në epokën e dixhitalizimit, bëjnë të mundur përçimin e njoftimeve edhe tek shoqëritë me teknologji të pazhvilluar.
Raporti Botëror i Fatkeqësive (World Report Disaster) i 2013, hartuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, nënvizon se vetëm 6% e popullsisë së vendeve në zhvillim kanë Internet, prandaj teknologjia e informacionit me çmim të ulët përbën ende një sfidë themelore, që përfshin tërë bashkësinë ndërkombëtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.