2014-06-04 16:28:51

Françesku: përshpirtëria nuk është mëshirë, por lidhje e fuqishme me Hyjin


Përshpirtëria, dhuratë e Shpirtit Shenjt, nuk është thjesht mëshirë, as shenjtëri e shtirë, por lidhje e thellë me Hyjin, që i jep kuptim jetës sonë, na bën të butë, gazmorë, të aftë për të dashur e për t’u dashur si vëllezër. E kjo ishte zemra e katekizmit të Papës Françesku, sot paradite, gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, larë me rreze dielli e mbushur plot me besimtarë e shtegtarë, rreth 50 mijë vetë, nga të katër anët e botës. RealAudioMP3

Pak para orës dhjetë, Papa u duk në Sheshin e para Bazilikës madhështore, të cilin e përshkoi, i rrethuar nga duar të shtrira, valavitje flamujsh, fëmijë, që i lëshoheshin në krahë për një përqafim e të sëmurë, në pritje të një prekjeje, të një bekimi. Është përshëndetja tradicionale e Françeskut, që çdo të mërkurë, para katekizmit, dëshiron ta rrokë gjithë turmën, në pritje për të ndjekur fjalën e tij, mësimin e tij. Pas së mërkurës së kaluar, kur foli për shtegtimin në Tokën Shenjte, Papa rifilloi katekizmin kushtuar dhuratave të Shpirtit Shenjt, duke u ndaluar sot tek përshpirtëria, shpesh e keqkuptuar ose e shpjeguar përciptas:
Duhet sqaruar menjëherë se kjo dhuratë nuk identifikohet me mëshirën për ndokënd, mëshirën për të afërmin, por tregon përkatësinë ndaj Zotit dhe lidhjen më të thellë me Të, lidhje, që i jep kuptim gjithë jetës sonë e që na mban në këmbë, të patundur, në bashkim me Hyjin, edhe në çastet më të vështira e më të shqeta”.
Kjo, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk duhet kuptuar si detyrë, e as si imponim, por si lidhje e jetuar me gjithë zemër: është miqësia ynë me Hyjin, që na mbush me gëzim e, prej këndej, na nxit gati natyrshëm, t’i shprehim mirënjohjen e ta lumnojmë:
“Përshpirtëria, pra, është sinonim i shpirtit fetar, i afërsisë bijnore me Hyjin, i asaj aftësie për t’u lutur me dashuri e thjeshtësi, që është karakteristike për njerëzit zemërbutë e të përvujtë”.
E nëse përshpirtëria na bën ta thellojmë bashkimin me Zotin, vijoi Papa, na ndihmon ta derdhim gjithë këtë dashuri edhe mbi njerëzit, që takojmë ditë për ditë, duke i pranuar me zemër të hapur, si vëllezër. E atëherë, po, mund të themi se vihemi në lëvizje nga ndjesia e përshpirtërisë, e kjo ndjesi nuk është, sigurisht, pietizëm, mëshirë e sëmurë e shpesh, e papranueshme:
“Pse them nuk është pietizëm? Mbasi ka edhe nga ata që mendojnë se të kesh përshpirtëri, do të thotë të mbyllësh sytë, ta bësh fytyrën si fytyrë figureje, kështu, apo jo? E edhe të shtiresh si shenjt. Po kjo nuk është dhurata e përshpirtërisë”.
Përshpirtëri, sipas Papës, do të thotë të jesh vërtet i aftë për të qeshur e për të qarë, për të qenë pranë e për të qortuar, për të ngushëlluar e për të pranuar njerëz, që i takon ditë për ditë. Lidhja e përshpirtërisë me butësinë është shumë e fortë, shtoi Françesku, duke folur lirisht:
“Dhurata e përshpirtërisë, që na e jep Shpirti Shenjt, na bën të butë, të qetë, durimtarë, në paqe me Hyjin: na vë, butësisht, në shërbim të të tjerëve”.
T’i lypin, prandaj, Zotit, porositi Papa edhe gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, hirin që dhantia e Shpirtit Shenjt, në sa afrohet Solemniteti i Rrëshajëve, të na bëjë dëshmitarë të butë e gazmorë të dashurisë së Tij:
“T’i lutemi Zotit që dhurata e Shpirtit të Tij të fitojë mbi druajtjet tona, mbi pasiguritë tona, e edhe mbi shpirtin tonë të shqetë, të paduruar, e të na bëjë dëshmitarë gazmorë të Hyjit e të dashurisë së Tij”.
Një përshëndetje të veçantë Ati i Shenjtë u drejtoi, në përfundim të audiencës, të rinjve polakë, mbledhur në Shenjtëroren e Lednicës, duke ia besuar udhëheqjen e tyre Shën Gjon Palit II i cili, pikërisht atje, kujtoi, tetëmbëdhjetë vjet më parë, e nisi këtë udhë me të rinjtë. “Ju nxjerrtë nga Zoti të gjitha hiret e nevojshme, që jeta juaj e re të jetë e plotë e bujare”, i uroi.
Një përshëndetje e një ftesë e veçantë, për të rinjtë, të sëmurët e të sapomartuarit, pjesëmarrës në takimin e organizuar nga Lëvizja e Fokolarëve. Uroj, u tha, që Shpirti Shenjt të hyjë në jetët tuaja e t’ju mbushë me dhuratat e përshpirtërisë e të qëndresës.









All the contents on this site are copyrighted ©.