2014-06-03 13:27:58

Rritet numri i katolikëve në vendet skandinave


“Gjendja e Kishës sonë është vërtet e veçantë, sepse këtu nuk mund të jetë famullitar dikush që nuk ka lejen e drejtimit të makinës, për shkak të madhësisë së famullive, që mund të shtrihen me qindra kilometra”. Kështu pohon Motër Anna Mirijam Kaschner, misionare gjermane e Gjakut të Tejetçmueshëm, që jeton e punon në famullinë e Kopenhagenit. Prej vitit 2009 ajo është edhe sekretare e përgjithshme e Konferencës Ipeshkvore Skandinave.
Veprimtaritë baritore të Kishës katolike në vendet e skajit verior të Evropës – Suedi, Danimarkë, Norvegji, Islandë e Finlandë – i bashkërëndit Konferenca Ipeshkvore e Skandinavisë, e përbërë nga ipeshkvinjtë e Rejkjavikut, Stokholmit, Tromsos, Kopenhagenit, Helsinkit e Oslos. Katolikët e regjistruar në Danimarkë, Norvegji, Suedi, Finlandë dhe Islandë janë gjithsej 270.000 dhe përbëjnë rreth një përqind të popullsisë.
Dioqeza e Kopenhagenit është njëra ndër më të mëdhatë në botë për nga sipërfaqja, sepse përfshin edhe Grenlandën, ndërsa prelatura e Tromsos, në norvegji, është 28 herë më e madhe se dioqeza e Këlnit, në Gjermani, por ka vetëm pesë famulli e nëntë meshtarë. “Përveç famullive, thotë Motër Anna Mirijam, kemi edhe ‘bashkësitë shpirtërore’, që kanë vlerë themelore, sepse aty mund të kremtojmë eukaristinë, të mblidhemi për kurset e katekizmit, për shembull për kungimin e parë të fëmijëve”.
Pavarësisht nga vështirësitë, kjo Kishë është duke u rritur në mënyrë të dukshme. Në Oslo, gjatë viteve të fundit, numri i katolikëve është trefishuar, falë numrit të të kthyerve dhe të emigrantëve. Që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të shkuar janë shtuar të ardhurit nga Lindja e Mesme, aq sa në periferi të Stokholmit çdo të diel kremtohet liturgjia melkite, maronite, kaldeo-katolike, armeno-katolike dhe siriako-katolike.Ka edhe meshtarë me prejardhje suedeze të shuguruar sipas këtyre riteve.
Edhe në Norvegji Kisha po rritet me shpejtësi, me anëtarë që vijnë pre më se 70 vendeve prej të gjitha kontinenteve. Bëhet fjalë për dhjetëmijë katolikë të regjistruar në dioqezën e Trondheimit, ndërsa në të gjithë vendin gjenden rreth njëqindepesëdhjetëmijë katolikë. Për këtë arsye, katedralja katolike e Trondheimit do të shembet, për të ndërtuar një të re, më të madhe.








All the contents on this site are copyrighted ©.