2014-06-03 12:20:17

Papa: Jezusi i lutet Atit për ne, duke i treguar plagët e veta


Jezusi lutet për secilin prej nesh, duke i treguar Atit Qiellor plagët e tij. Qe kjo një nga pikat kulmore të homelisë së sotme të Papës Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Ati i Shenjtë nënvizoi se Jezusi është avokati që na mbron, edhe nëse jemi fajtorë e kemi mëkatuar pa masë.RealAudioMP3
Duke komentuar leximet e liturgjisë së sotme, Papa vërejti se kur shën Pali largohet nga Mileti, të gjithë trishtohen, njësoj siç u kishte ndodhur dishepujve, kur Jezusi u pati folur para se të shkonte në Gjetsemani e të fillonte Kalvarin e Tij të Mundimeve. Por, Zoti na ngushëllon, nënvizoi Papa, me një frazë të vogël, para se të largohej, që na bën të mendojmë. “Unë lutem për ta” i thotë Atit të vet Qiellor. Pra, Jezusi lutet për ne. Ashtu siç u lut edhe për Pjetrin e për Lazrin. Jezusi na thotë: “Të gjithë ju jeni të Atit. E unë lutem për ju para Atit”. Jezusi nuk lutet për botën, nguli këmbë Papa Françesku, lutet për ne, lutet për Kishën e vet:
“Shën Gjoni Apostull, duke menduar për këto gjëra e duke folur për ne, që jemi mëkatarë, thotë: ‘Mos mëkatoni, por nëse ndokush prej jush mëkaton, ta dini se kemi një avokat para Atit, dikë që lutet për ne, që na mbron para Atit, që na justifikon’. Mendoj se duhet të mendojmë shumë për këtë të vërtetë, për këtë realitet: në këtë çast, Jezusi lutet edhe për mua. Unë mund të eci përpara në jetë, sepse kam një avokat që më mbron e, nëse unë jam fajtor e kam shumë mëkate…kam një avokat të mirë mbrojtës, që do t’i flasë Atit për mua”.
Krishti, vazhdoi Papa Françesku, është avokati i parë, që dërgon pastaj Paraklitin, Shpirtin e Shenjtë. Kur ne në famulli, në shtëpi, në familje, kemi ndonjë nevojë e ndonjë problem, duhet t’i kërkojmë Jezusit të lutet për ne. “E sot, si lutet Jezusi? Unë – pohoi Papa – mendoj se nuk flet shumë me Atin”:
“Nuk flet: do. Por ka diçka që bën Jezusi sot, jam i sigurtë se e bën. I tregon Atit plagët e Tij e Jezusi, me këto plagë, lutet për ne e i thotë Atit: ‘O Atë, ky është çmimi për këta! Ndihmoji, mbroji. Janë bijtë e tu, që unë i kam shëlbuar, me këto plagë’. Në të kundërtën, nuk kuptohet pse Jezusi, pas Ringjalljes, pati këtë korp të lavdishëm, shumë të bukur – nuk kishte shenja, nuk kishte plagë nga frushkullimi, gjithçka e mrekullueshme – por kishte plagët e Kryqëzimit. Pesë varrë. Pse Jezusi deshi t’i merrte me vete në qiell? Pse? Për t’u lutur për ne. Per t’i treguar Atit çmimin: ‘Ky është çmimi, tani mos i le vetëm. Ndihmoji’”.
Ne duhet të besojmë se Jezusi, në çdo çast, ndërhyn pranë Atit, për secilin prej nesh. E kur lutemi, theksoi Papa, nuk duhet të harrojmë t’i kërkojmë Jezusit të lutet për ne:
“’O Jezus, lutu për mua. Tregoji Atit plagët, që janë edhe të miat, janë plagët e mëkatit tim. Janë plagët e problemit tim në këtë çast’. Jezusi ndërmjetësues i tregon Atit plagët e veta. E kjo ndodh sot, në këtë moment. Mos t’i harrojmë fjalët, që Jezusi i tha shën Pjetrit: ‘Pjetër, unë do të lutem për ty, që feja jote të mos dobësohet’”.
Jemi të sigurtë, përfundoi Papa Françesku, se Jezusi e bën këtë për secilin prej nesh. Duhet të kemi besim në lutjen e Krishtit, që shkon tek Ati Qiellor duke i treguar varrët e Kryqëzimit të Tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.