2014-06-03 14:16:39

Lutja për paqen në Tokën Shenjte, takim shpirtëror për të gjithë


“Nuk duhet konsideruar vetëm një çast për të kërkuar dhuratën e paqes. Është takim shpirtëror e moral për të gjithë”. Kështu e komenton kryetari i Lëvizjes ndërkombëtare “Pax Christi” për Italinë, Sergio Paronetto, takimin e lutjes së Papës Françesku me presidentin e Izraelit dhe me atë të Palestinës, më 8 qershor në Vatikan. Kujtojmë se gjatë shtegtimit në Tokën Shenjte, Papa i ftoi të dy krerët e shteteve të luten për paqen në “shtëpinë e tij”, siç tha, në një çast kur bisedimet izraelito-palestineze kalojnë vështirësi jo të pakta. Ditën e Rrëshajve, ditën e dikimit të Shpirtit Shenjt mbi apostujt dhe mbi shën Marinë, të tre do t’i luten Zotit të paqes për këtë dhuratë kaq të dëshiruar në Viset ku jetoi Biri i Hyjit.RealAudioMP3
“Shpresoj – thotë Sergio Paronetto në mikrofonin e Radio Vatikanit – se ky do të jetë rast për ta dëgjuar njëri-tjetrin, në mënyrë që të arrihet një lloj çarmatimi mendor dhe emocional. Çarmatim nga frika, nga ankthet, nga paragjykimet, nga arroganca, nga fanatizmat. Duhet të rizgjojmë energjitë e familjes njerëzore, duke rizbuluar kartën e identitetit të marrëdhënieve njerëzore. Siç shkruan David Grossman – kujton Paronetto shkrimtarin dhe eseistin e njohur izraelit, i cili ka vënë në dukje jetën e popullsisë palestineze në territoret e pushtuara nga izraelitët në Çisjordani dhe në Rripin e Gazës – duhet të ringjallim njeriun brenda armaturave”, që nuk e lejojnë ta shohë tjetrin, ta konsiderojë si vetveten.
Jo më kot, kujton presidenti i “Pax Christi”-t, është zgjedhur dita e Rrëshajve. “Paqja është një Vetje – përsërit shpesh Papa Françesku – e kjo Vetje është Shpirti i Shenjtë”.
Paronetto i fton të gjithë që, para ditës së lutjes në Vatikan, secili të marrë në dorë librin e kardinal Martinit “Drejt Jeruzalemit”, ku kujtohet se “lutja për paqen është lutje ndërmjetësimi, në kuptimin biblik ‘të bësh një hap në mes’, të vendosesh në mes të palëve në konflikt, pa shpifje, duke e lëshuar veten në dorën e frymës së Shpirtit Shenjt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.