Në vijim të leximit të Ungjillit sipas Markut, kapitulli i tretë, do të shohim sot
thirrjen e dymbëdhjetë apostujve. Sikurse Marku, edhe Mateu e Luka i kushtojnë një
vëmendje të veçantë themelimit të kolegjit të apostujve. Në tërë Besëlidhjen e Re
grupi i të Dymbëdhjetëve ka rol themelor. Jezusi, duke thirrur në mënyrë të veçantë
këta bashkëkohës të vetët, që do të marrin emrin apostuj, tregon se lidhja e vet me
njerëzimin nuk fillon dhe mbaron vetëm në personin e tij fizik, por përjetësohet në
misterin e bashkësisë së të thirrurve, që është Kisha. Ungjijtë na tregojnë
çastet dhe rrethanat, në të cilat Jezusi thirri disa prej apostujve. Për shembull
Pjetrin dhe Andrenë i thërret në bregun e liqenit të Galilesë, pas një nate të pasuksesshme
peshkimi; Levin e thërret nga banka, ku mblidhte taksat; dy prej nxënësve të Gjon
Pagëzuesit i fton të rrinë me të, pasi ata e pyetën ku banonte... Edhe pse koha dhe
rrethanat, në të cilët i thërret apostujt, janë të ndryshme, duke i thirrur, i bashkon
në një realitet të ri, të përbashkët, i cili do të marrë formë gjatë jetës tokësore
të Jezusit dhe do të shugurohet në mënyrë përfundimtare në ditën e Rrëshajëve, pas
Ngjitjes së tij në qiell. Për këtë arsye, Marku, sikurse edhe Mateu e Luka, e
shënojnë më vete themelimin bashkësisë së apostujve. Në kapitullin e tretë, vargjet
13-19, Marku rendit emrat e të dymbëdhjetëve, por më parë tregon solemnitetin me të
cilin Jezusi e ndërmerr veprimin e themelimit të tyre: “U ngjit në mal dhe thirri
pranë vetes ata që deshi” (v. 13). Nisma, nga e cila lind Kisha, nuk buron nga vendimi
i njerëzve për të shkuar pas Jezusit, por nga thirrja, që Biri i Hyjit u drejton njerëzve
për ta ndjekur. Kisha, edhe pse është thellësisht njerëzore, sepse përbëhet nga njerëz,
si dymbëdhjetë apostujt e thirrur në rrethana krejtësisht normale, është edhe thellësisht
hyjnore, sepse buron nga vendimi i Hyjit për t’i thirrur këta njerëz, “që të rrinë
me të” (v. 14), “për t’i dërguar që të predikojnë dhe që të kenë pushtetin për të
dëbuar djajtë” (v. 15). Themelimi i të dymbëdhjetëve shënon zanafillën e popullit
të ri të Hyjit, në Krishtin. Ky popull nuk lind dhe rritet me anë të gjakut dhe të
trashëgimisë, por me anë të thirrjes. Në thirrjen nga ana e Hyjit qëndron edhe forca,
me të cilën Kisha, nga ana e vet, i thërret njerëzit për t’ia hapur zemrën dhe mendjen
lajmit të mirë.