2014-06-03 12:21:07

Botohet Vjetari Papnor 2014 dhe Vjetari Statistikor Kishtar 2012: në Afrikë, rritja më e ndjeshme e Kishës


Në Afrikë, Kisha vijon të rritet me ritmet më të shpejta. E tregojnë shifrat e Vjetarit Papnor, hartuar nën kujdesin e imzot Vittorio Formentit, i ngarkuar i Zyrës Qëndrore të Statistikës së Kishës, profesor Enriko Nenna-s dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, tashmë në librari, së bashku me Vjetarin Statistikor Kishtar 2012, hartuar nën kujdesin e së njëjtës zyrë, shtypur në tipografinë vatikanase.
Vjetarët na njohin me disa të reja, që kanë të bëjnë me jetën e Kishës katolike në botë, nga zgjedhja e Papës Françesku (13 mars 2013), deri më 22 shkurt 2014.
Gjatë kësaj periudhe u ngritën dy seli të reja ipeshkvnore, një hekzarkat apostolik dhe një hekzarkat kryeipeshkvnor, ndërsa një prelaturë territoriale u ngrit në dinjitetin e dioqezës.
Të dhënat e Vjetarit statistikor lidhur me vitin 2012, janë analizë përmbledhëse e zhvillimeve të fundit të Kishës Katolike në 2. 981 qarqet e saj kishtare të planetit.
Ndërmjet viteve 2005-2012, numri i besimtarëve në botë është rritur nga 1. 115 në 1. 229 milionë, me një shtesë prej 10,2%. Duke e ballafaquar këtë rritje me evolucionin e popullsisë botërore në të njëjtën periudhë, nga 6,46 në 7,02 miliardë, vërehet se numri i katolikëve në botë është rritur, ndonëse me ritme të ngadalshme, duke kaluar nga 17,3% në 17,5%.
Evropa, me 23% të bashkësive katolike botërore, është zona më pak dinamike, me një rritje të të pagëzuarve prej 2% e me prani katolikësh prej 40% të popullsisë në territoret e saj
Kontinenti afrikan mbetet ai, që ka rritjen më të ndjeshme. Numri i katolikëve në Kontinentin e zi, më 2012 - 199 milionë, rritet me një ritëm gati të dyfishtë, në krahasim me atë të Kontinentit Aziatik (rreth 29%), duke ia kaluar shumë herë ritmeve të rritjes së popullsisë në këtë periudhë. Numri i besimtarëve në Kontinetin afrikan kalon nga 13,8 % që ishte në vitin 2005, në 16,2% në vitin 1212.
Në rritje, rreth 11%, edhe numnri i katolikëve në botën aziatike, me një peshë 60% të popullsisë botërore.
Forcohet pozicioni i Amerikës, si kontinent, të cilit i përket 49% e popullsisë katolike botërore.
Në vjetarët, pastaj, gjejmë shifra të sakta për numrin e meshtarëve, 414.313, nga të cilët, 279.561 anëtarë të klerit dioqezan, 134.752 mijë të klerit rregulltar, me një rritje prej 2% në krahasim me vitin 2005. Rritet numri i meshtarëve afrikanë, ndërsa pakësohet ai i meshtarëve evropianë.
Rregulltaret me kushte të përhershme janë 702, 529: numri më i madh është në Afrikë e në Azi, më i vogël, në Evropë e Amerikë
Numri i seminaristëve është rritur me 4,9 %, duke kaluar nga 114.439 në vitin 2005, në 120.051 në 2012, me një rritje të ndjeshme kryesisht në Azi.
Për të dhënat e tjera, të hollësishme, mund të shfletohen Vjetarët.










All the contents on this site are copyrighted ©.