2014-06-02 16:44:56

Papa me ipeshkvinjtë e Zimbabvesë: të zinj e të bardhë, së bashku për të mirën e vendit


Përpjekje për pajtim dhe për të shëruar plagët: këtë u kërkoi Papa Françesku ipeshkvinjve të Zimbabvesë, të cilët i priti sot paradite në vizitën Ad Limina Apostolorum. Papa u kujtoi barinjve të shtetit afrikan se popullsia e Zimbabvesë përbëhet nga të bardhë dhe të zinj, që u përkasin fiseve të shumta, prandaj ata duhet t’i prijnë popullit drejt bashkimit dhe shërimit. Kisha e Zimbabvesë është e thirrur për të qëndruar gjithmonë pranë popullit, sidomos në çastet e zhgënjimit dhe të dëshpërimit.
Në fjalimin, që u dorëzoi ipeshkvinjve, Papa Françesku përmend kontributin e madh të Kishës Katolike në vend, para e pas pavarësisë, dhe ndalet tek kriza shpirtërore dhe morale që po përjeton shoqëria zimbabveze.
Ka të krishterë brenda të gjitha palëve në konflikt, prandaj barinjtë duhet t’u prijnë drejt bashkimit. Populli juaj, shkruan Papa, përbëhet nga të bardhë e të zinj, nga ndonjë i pasur e shumë të varfër, prej shumë fisesh, por të gjithë duhet të kthehen kah Zoti e të shërohen.
Pajtimi, tha Papa, nuk është një veprim i izoluar, por një proces i gjatë, falë të cilit çdonjëri duhet të rilindë në dashuri, në atë dashuri, që shëron me anë të fjalës së Hyjit.
Në fund, Papa u drejtohet meshtarëve, katekistëve dhe laikëve, duke vënë theksin tek formimi shpirtëror, sidomos tek formimi i çifteve të krishtera, të cilët duhet të ushqehen me pasurinë e mësimeve morale të Kishës për jetën dhe dashurinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.