Papa i nxit karizmatikët për unitet: jeni “rrymë hiri”
“Misionaritet i ri, i përforcuar nga uniteti”. Është kjo porosia kryesore e Papës,
në Stadiumin Olimpik të Romës, ku mbrëmë u takua me mijëra përfaqësues të Lëvizjes
Përtëritja Karizmatike Katolike. Françesku e quajti Lëvizjen e Përtëritjes në Shpirtin
Shenjt, “rrymë hiri’ në Kishë e për Kishën”. Në këtë takim të madh, organizuar me
rastin e Asamblesë së 37-të të Lëvizjes, Papa foli edhe për familjen e sulmuar nga
të katër anët e për rolin tejet të rëndësishëm të të moshuarve. Meshtarët i porositi
të jenë gjithnjë pranë Jezusit e pranë njerëzve.
Një stuhi duartrokitjesh,
tingujsh, zërash shpërthyen, sapo Papa vuri këmbë në Stadium, për të kënduar, më pas,
me krahët lart, bashkë me korin vigan: “Vive Jesus el Senor’ në gjuhën spanjolle.
E Olimpiku u bë, kështu, arenë feje e shprese, në të cilën fryma e Shpirtit Shenjt,
ftuar nga asambleja në lutje, si në një Çenakull nën qiellin e hapur, shndriti mendjet
e ngrohu zemrat e 52 mijë të pranishmëve, ardhur nga 55 vende të ndryshme të botës.
Të forta, thirrjet: për unitetin e Përtëritjes, për të mos e përqendruar në tepri
vëmendjen në organizimin e veprimtarive, por për ta lënë vetë Hyjin të veprojë; për
të mos qenë kontrollorë të hirit, dogana të Shpirtit Shenjt: “Kjo është udha
juaj: Ungjillëzimi, Ekumenizmi shpirtëror, kujdesi për të varfërit e nevojtarët, mikpritja
e të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë. Dhe e gjithë kjo, mbi bazën e a-dhu-ri-mit!
Themeli i përtëritjes është adhurimi i Hyjit!”. Kërkoni unitetin, theksoi Papa,
sepse uniteti vjen nga Shpirti Shenjt e lind nga uniteti i Trinisë Shenjte: “Përçarja,
nga kush vjen? Nga djalli! Përçarja vjen nga djalli. Larg luftërave të brendshme,
ju lutem! Të mos ndjehen kurrë mes jush”. Dilni rrugëve për të ungjillëzuar,
duke kumtuar Ungjillin; mos harroni se Kisha lindi ‘në dalje” në agimin e Rrëshajëve,
vijoi të porosiste Papa Françesku: “Afrojuni pranë të varfërve e prekni, në
korpin e tyre, korpin e plagosur të Jezusit! Lërëni Shpirtin Shenjt t’ju prijë, me
liri e, ju lutem shumë, mos e mbyllni në kafaz Shpirtin Shenjt! Me liri”. Papa
kujtoi, jo pa autoironi, si i quante karizmatikët para se të bëhej asistenti i tyre
shpirtëror në Argjentinë: “shkolla e samba-s”. Pastaj theksoi se Përtëritja Karizmatike
është forcë e madhe në shërbim të kumtimit të Ungjillit, në gëzim të Shpirtit Shenjt
(Evangelii Gaudium). Ju morët Shpirtin Shenjt, shtoi, e në vijim u kujtoi
se duhet ta kenë gjithnjë me vete Shkrimin Shenjt. Para fjalimit, Papa dialogoi
me përfaqësuesit e meshtarëve, të të rinjve, familjeve, të sëmurëve. I vlerësoi
lart pleqtë: “Të moshuarit! Janë urtia jonë, urtia e Kishës; të moshuarit, që
ne shpesh i përjashtojmë”. Pastaj familjet: “Familjet janë Kishë shtëpijake.
Bashkëshortët janë mëkatarë, si të gjithë, po duan të ecin përpara me fe, në dëshirën
për të krijuar jetë të re, në fëmijtë e tyre e në fenë e fëmijëve. Zoti e bekoftë
familjen, e bëftë të fortë në këtë krizë, me të cilën djalli synon ta shkatërrojë”. Meshtarëve
u la mandatin: “Duajini njerëzit tuaj; rrini pranë njerëzve. Këtë kërkoj nga
ju, këtë afërsi të dyfishtë: afërsi me Jezusin e afërsi me njerëzit”. Duke
folur, pastaj me një të ri, tregoi udhën për ta jetuar rininë, duke synuar gjëra të
mëdha, larg jetës së mbyllur në kasafortë: “Kështu kjo rini bëhet plakë, në
kuptimin më të keq të kësaj fjale. Bëhet leckë! Nuk i duhet gjë kujt! Rinia është
bërë për të rrezikuar, por për të rrezikuar mirë, me shpresë. E për të kërkuar gjëra
të mëdha. Rinia është për t’u dhuruar, që edhe të tjerët ta njohin Zotin. Mos e kurseni,
mos e mbani vetëm për vete rininë tuaj, shkoni përpara!”. Pas dëshmisë së një
të verbëri, Papa theksoi se vuajtja duhet të jetë dëshmi e afërsisë me Jezusin: “Vëllezërit
e motrat, që vuajnë, që sëmuren, që kanë aftësi të kufizuara fizike, janë vëllezër
e motra të vajuara nga vuajtja e Jezu Krishtit, i ngjajnë Krishtit në çastin e vështirë
të kryqit të Tij, të jetës së Tij. Këtë vajim me vuajtje e çojnë përpara, për mbarë
Kishën”. Prekës, çasti i lutjes, kur Papa foli për “dehjen shenjte”, atë që
të bën të flasësh gjuhët e dashurisë së krishterë e ta harrosh gjuhën e egoizmit e
të etjes për pushtet, gjuhë shumë të përdorura e të përhapura në kohët tona. Pastaj,
ftesa e fuqishme për unitet, pasuar nga duartrokitjet e pareshtura për festën e 2017-tës: “Kërkoni
unitetin e Përtëritjes, unitet, që vjen nga Trinia Shenjte! E ju pres të gjithë ju,
karizmatikët e botës, për të kremtuar, së bashku me Papën, Jubileun tuaj të madh të
Rrëshajëve 2017, në Sheshin e Shën Pjetrit! Faleminderit!”. Takimi me Papën
përfundoi mbrëmë, ndësa veprimtaritë vazhduan edhe sot.