Papa Françesku: martesa e krishterë është besnike, e qëndrueshme, e frytshme
Besnike, e qëndrueshme, e frytshme. Këto janë karakteristikat e dashurisë që ka Jezusi
për Kishën, Nusen e tij. E këto janë edhe karakteristikat e një martese të krishterë.
Kështu tha Papa Françesku gjatë homelisë, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën
Martës.
Rreth pesëmbëdhjetë çifte, pesëmbëdhjetë histori martesore e familjare,
të cilat zunë fill para 25, 50 e 60 vitesh, para një altari, u gjendën sot para altarit
të Papës Françesku dhe falënderuan Hyjin për pikësynimin e arritur. Një skenë e pazakontë
për kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, nga e cila Papa mori shkas për të folur për
tri shtyllat, mbi të cilat mbështetet dashuria martesore, sipas shestimit të fesë:
besnikëria, qëndrueshmëria, frytshmëria. Modeli frymëzues, shpjegoi Papa, janë tri
dashuritë e Jezusit: për Atin, për Nënën, për Kishën. Dashuria e Krishtit për Kishën
është e madhe, pohoi Ati i Shenjtë: “Jezusi u martua me Kishën për dashuri”. Ajo është
“nusja e tij: e bukur, e shenjtë, mëkatare, por ai e do njëosoj”. E mënyra si e do,
nxjerr në pah “tri karakteristikat” e kësaj dashurie:
“Është dashuri besnike;
është dashuri e qëndrueshme, nuk lodhet kurrë së dashuri Kishën e tij; është dashuri
e frytshme. Është dashuri besnike! Jezusi është besnik! Shën Pali, në një nga letrat
e tij, thotë: ‘Nëse ti e shpall Krishtin, ai do të të shpallë ty pranë Atit; nëse
ti e mohon Krishtin, ai do të të mohojë ty; nëse ti nuk i rri besnik Krishtit, ai
mbetet besnik, sepse nuk mund ta mohojë vetveten!’. Besnikëria është veti e qenësishme
e dashurisë së Jezusit. Dhe dashuria e Jezusit në Kishën e tij është besnike. Kjo
besnikëri është si një ndriçim për martesën. Besnikëria e dashurisë. Gjithmonë”.
Gjithmonë
besnike, por edhe gjithmonë e qëndrueshme, pa u lodhur. Si dashuria e Jezusit për
Nusen e tij:
“Jeta martesore duhet të jetë e qëndrueshme, duhet të jetë
e qëndrueshme, sepse, përndryshe, dashuria nuk mund të ecë përpara. Qëndrueshmëria
në dashuri, në çastet e bukura dhe në çastet e vështira, kur ka probleme: probleme
me fëmijët, probleme ekonomike, probleme këndej e andej. Por dashuria qëndron, ec
përpara, duke u përpjekur gjithmonë t’i zgjidhë problemet, për ta shpëtuar familjen.
Me qëndrueshmëri, burri dhe gruaja zgjohen çdo mëngjes dhe çojnë përpara familjen”.
Karakteristika e tretë është “frytshmëria”. Dashuria e Jezusit, vëren
Papa Françesku, “e bën Kishën të frytshme me bij të rinj, me anë të Pagëzimit, dhe
Kisha rritet, falë kësaj frytshmërie martesore”. Në martesë, kjo frytshmëri mund të
vihet në provë nganjëherë, kur nuk vijnë fëmijët, ose kur janë të sëmurë. Në këto
prova, nënvizoi Papa, ka çifte që “shikojnë Jezusin dhe pajisen me forcën e frytshmërisë
që i jep Jezusi Kishës së vet”. Ndërsa nga ana e kundërt, “gjenden gjërat që nuk i
pëlqejnë Jezusit”, domethënë martesat qëllimisht pa fëmijë:
“Ato martesa,
që nuk i duan fëmijët, që duan të mbeten pa fryte. Kjo kulturë e mirëqenies, e dhjetë
vjetëve më parë, na e ka mbushur mendjen: ‘Më mirë të mos kesh fëmijë! Më mirë! Kështu
mund të shkosh e të njohësh botën, mund të shkosh me pushime, mund të keshë një vilë
në fshat. Je i qetë...’ Po është më mirë, ndoshta, më e rehatshme, të kesh një qen,
dy mace, dhe dashurinë ua jep maceve dhe qenit. Është e vërtetë kjo, apo jo? A e keni
parë ju? E në fund kjo martesë e arrin pleqërinë në vetmi, me shijen e hidhur të vetmisë
së keqe. Nuk është e frytshme, nuk bën çfarë bën Krishti me Kishën. Frytshmëria!”.