Kamerun. Kardinali Filoni takohet me misnarët e liruar: hir i Zotit
U liruan dy meshtarët viçentinë ‘fidei donum”, don Giampaolo Marta e don Gianantonio
Allegri, si dhe rregulltarja kanadeze, motër Gilberte Bussiére, të Kongregatës së
Zojës së Monrealit, rrëmbyer më 4 prillin e kaluar, në Kamerun. Tre rregulltarët qenë
kapur nga dy grupe të armatosura, në banesat e tyre, në dioqezën e Maroua, në veri
të vendit. Ipeshkvi i nderit i Maroua, Philip Albert Joseph Stevens, në mikrofonin
e Radio Vatikanit, pohoi se tre rregulltarët janë mirë e po shtegtojnë me avion drejt
Yaundésë, kryeqytet i Kamerunit, ku tani sigurisht edhe kanë arritur. Kardinali
Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, në një deklaratë,
dhënë agjencisë Fides për lirimin e dy meshtarëve, pas takimit me të liruarit, shpjegoi
se i gjeti të emocionuar, por të kënaqur, në gjendje të mirë fizike e psikologjike.
Fakti që ishin gjithnjë bashkë, i ndihmoi shumë ta kapërcenin këtë çast të vështirë
të jetës së tyre. Ky lirim ishte një e papritur e këndshme, por, sidomos, hir!- theksoi
kardinali Filoni. Lirimi i tre rregulltarëve, pohon në një deklaratë drejtori
i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, është lajm, që na
mbush me gëzim. Papa, i cili që në fillim e ndoqi ngjarjen dramatike, u informua
menjëherë. Ta falënderojmë Zotin për këtë përfundim pozitiv. Njëkohësisht të vijojmë
lutjen e impenjimin që çdo formë dhune, urrejtjeje e konflikti në zonat e ndryshme
të Afrikës e në viset tjera të botës, të marrë fund. Pa harruar edhe impenjimin për
shumë njerëz të pafajshëm, me mosha nga më të ndryshmet që, siç e dimë mirë, mbeten
viktima të rrëmbimeve të papranueshme, në viset, ku vijojnë konfliktet.