2014-06-01 14:23:21

Treni i fëmijëve tek Papa


Po dje, në mesditë, Papa Françesku priti pjesëmarrësit e nismës “Treni i fëmijëve”, organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës në kuadrin e “Oborrit të Fëmijëve”. Kjo është hera e dytë, që fëmijët vijnë në Vatikan, pas takimit të parë, më 23 qershor 2013. Këtë vit, në nismën e quajtur “Kërkimtarët e dritës”, u përfshinë fëmijët e gjashtë shkollave fillore të Napolit e të dy shkollave të Romës, që rrezikojnë të braktisin mësimet për shkak të gjendjes së tyre familjare. Pas një pune didaktike-kulturore, fëmijët vizituan Katakombet e Prishilës në Romë e ato të Shën Gjenarit në Napoli e me një tren, u nisën nga Napoli për të takuar Papën Françesku, për të vizituar Vatikanin, por edhe Koloseumin.
“Së bashku me Ministrinë e Arsimit – shpjegon Patrizia Martinez, përgjegjëse për “Oborrin e fëmijëve” – zgjodhëm shkolla larg nga qendra, larg nga bukuria e nga kultura. Fëmijët ishin përgatitur nga mësueset për vizitën në katakombe, por mbetën të mahnitur nga ç’ka të bukur e të ndritshme nën tokë. Falë shpjegimeve të arkeologëve, patën kuriozitet për tema historike, në përgjithësi, pa interes për fëmijë 9-10 vjeçarë. Synimi i ‘Oborrit të fëmijëve’ është që të gjithë fëmijët e botës ta njohin njëri-tjetrin, të shkëmbejnë mendime për vendet artistike ose të shenjta që i kanë përreth përditë, por shpesh nuk i njohin. Është e nevojshme që arti, dija dhe kultura të hyjnë në jetën e tyre, që të jenë stimuj për të ardhmen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.