2014-06-01 14:23:48

Shenjtorët e javës 2-8 qershor


Më 2 qershor përkujtohen Shën Marçelini, meshtar, dhe Pjetri, ekzorcist, të cilët u martirizuan nën Dioklecianin rreth vitit 303. Papa Damazi, ende i mitur, mblodhi nga vetë ekzekutuesi tregimin e martirizimit të tyre, që ndodhi në Romë.
Më 3 qershor përkujtohet Shën Gjoni XXIII. Angelo Roncalli u lind në vitin 1881, në një familje të thjeshtë, në afërsi të Bergamos, në veri të Italisë. Pas shugurimit meshtarak shërbeu për shumë vite si sekretar i ipeshkvit dhe mësues në seminar. Gjatë Luftës I Botërore u qëndroi pranë ushtarëve Italianë, në cilësinë e kapelanit ushtarak. Selia e Shenjtë e dërgoi në Bullgari dhe Turqi si vizitator apostolik dhe në Paris si nunc apostolik. Më 1953 u emërua patriark i Venecjes dhe më 28 tetor u zgjodh pasardhës i Papës Piu XII, duke marrë emrin Gjoni XXIII. Mbetet në histori si Papa që shpalli Koncilin II të Vatikanit, ngjarje që preku thellësisht jetën e Kishës universale. Vdiq më 3 qershor 1963.
Më 4 qershor përkujtohet shën Aloni. Jetoi në shkretëtirën egjiptiane mes shekujve IV-V dhe la disa thënie të mbledhura në vëllimin Apophtegma Patrum, të cilat nxjerrin në pah inteligjencën e tij shpirtërore. Njëra prej këtyre thënieve tërheq më shumë vëmendjen, sepse pohon se gënjeshtra është e lejueshme në rast se me anë të saj mund të shmanget dënimi me vdekje i një krimineli.
Më 5 qershor përkujtohet shën Bonifaci. Pa veprën e tij, Karli i Madh nuk do të kishte mundur ta arrinte organizimin politik dhe shoqëror të Evropës. Bonifaci i përkiste një familjeje të fisme angleze, ku lindi më 673. Në Angli përqafoi jetën benediktine, por Papa e thirri në Romë, e shuguroi ipeshkëv dhe e dërgoi në viset gjermanike. Themeloi, në Fulda, një abaci benediktine, që u bë shumë shpejt qendër shpirtërore dhe burim kulture për mbarë Gjermaninë. Selinë ipeshkvore e vendosi në Mainc dhe vdiq më 754.
Më 6 qershor përkujtohet Shën Norberti. Më 1121 themeloi urdhrin e Premostratensëve, të cilët e morën emrin nga krahina, ku Norberti zuri vend me disa shokë, me të cilët përqafoi jetën rregulltare. U lind në Ksanten (Gjermani), rreth vitit 1080 dhe, pasi shpëtoi mrekullisht nga një rrufe, që ra fare pranë tij, vendosi t’ia kushtone jetën Hyjit. Më 1126 u emërua ipeshkëv i Magdeburgut, ku vdiqë më 1134. Urdhri që themeloi u përhap shpejt në të gjithë Evropën dhe në Palestinë.
Më 7 qershor përkujtohet Shën Roberti i Njuminsterit. U lind në kontenë e Jorkut, në fund të shekullit XI, studioi në Paris dhe u shugurua meshtar në vendlindje, ku filloi të shërbente si famullitar. Më vonë përqafoi jetën benediktine dhe themeloi manastirin e Njuminsterit, prej së cilës lindën tre manastire të reja. U dallua për thjeshtësinë e jetesës dhe për dhuratën e profecisë.
Më 8 qershor është e diela e Rrëshajëve, zbritja e Shpirtit të Shenjtë mbi bashkësinë e Apostujve, të mbledhur me Marinë, në Dhomën e Epërme, ku Zoti Jezus kishte kremtuar darkën e fundit.








All the contents on this site are copyrighted ©.