2014-06-01 18:13:19

Papa në lutjen Mbretëreshës Qiellore: kumtimi i Ungjillit nuk është fakultativ


Rreth 60 mijë besimtarë ishin të pranishëm sot në Sheshin e Shën Pjetrit, që vezullonte nën rrezet e diellit të ngrohtë të ditës së parë të qershorit, ditë e Solemnitetit të të Ngjiturit të Zotit në Qiell. Ishte një takim plot dritë e gjallëri.

Duke komentuar Ungjillin, propozuar nga Solemniteti i sotëm, Papa shpjegoi se të Ngjiturit e Jezusit në Qiell nuk është ndarje, sepse Ai mbetet përgjithmonë me ne, në një formë të re, duke na treguar se caku i udhës sonë mbi këtë tokë është Ati:
“Jezusi është i pranishëm e veprues në ngjarjet e historisë njerëzore, me pushtetin dhe dhuratat e Shpirtit të Tij; është pranë secilit nga ne: edhe pse nuk e shohim me sy. Ai është! Na shoqëron, na prin, na merr për dore e na ngre përsëri në këmbë, kur rrëzohemi. Jezusi i ngjallur është pranë të krishterëve të persekutuar e të diskriminuar; është pranë çdo burri e gruaje, që vuan, është pranë secilit prej nesh!”.
Kur shkon në Qiell, vijoi Papa, Jezusi i çon Atit një dhuratë: plagët e tij:
Kjo është dhurata, që Jezusi i çon Atit. Korpi i tij është mrekullisht i bukur, pa gjurmë gjaku, pa plagë të hapura nga kamxhiku e nga kryqi. Gjithçka, mrekullisht e bukur! Por plagët i ruan. E kur shkon tek Ati, i thotë: ‘Shiko, o Atë, ky është çmimi për faljen, që jep Ti’. E kur Ati i shikon plagët e Jezusit, na fal gjithnjë, jo sepse jemi të mirë. Jo! Por sepse Ai pagoi për ne! Duke i parë plagët e Jezusit, Ati bëhet më i mëshirshëm, më i madh!”.
Para se të ngjitet në qiell, Jezusi u thotë dishepujve të vet: “Shkoni, pra, e bëni dishepuj të mi mbarë popujt!” (Mt 28,19). Është mandat i mirëpërcaktuar, jo fakultativ, sipas dëshirës, kujtoi Papa. Bashkësia e krishterë është bashkësi në dalje e sipër, për udhë, madje vetë Kisha lindi në dalje:
E ju më kujtoni: po bashkësitë e klauzurës? Po, edhe ato, sepse janë gjithnjë ‘në dalje’ me lutje, me zemrën e hapur për botën, për horizontet e Hyjit! Po pleqtë? E të sëmurët? Edhe ata, në lutje e në bashkim me plagët e Jezusit”.
Dishepujve të tij Jezusi u thotë: “Unë jam me ju ditë për ditë, deri në fund të fundit të botës (v20) . Të vetëm, pa Jezusin, nuk mund të bëjmë gjë prej gjëje, vërejti Papa:“Në veprimtarinë apostolike nuk mjaftojnë forcat tona, burimet tona, strukturat tona, ndonëse janë të nevojshme, por nuk mjaftojnë! Pa praninë e Zotit dhe forcën e Shpirtit të Tij, puna jonë, sado e organizuar, mbetet pa fryt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.