2014-05-30 13:24:19

Përfundoi vizita e kardinalit Bassetti në Kosovë


Përfundoi këto ditë vizita e kardinalit Gualtiero Bassetti dhe e delegacionit të Karitasit të Umbrias në Kosovë. Çasti i fundit, qe kremtimi i meshës në kishën e Shën Gjon Pagëzuesit në Klinë, më 28 maj. Në bisedimet me ipeshkvin e vendit, imzot Dodë Gjergji u vendos për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Karitasit të Umbrias dhe Kishës së Kosovës, sidomos për të ndihmuar familjet në zonën e Klinës.
Në këtë rajon, veprojnë që prej 15 vjetësh, vullnetarët italianë të Karitasit, të cilët nderohen shumë nga popullsia. Ata organizojnë aktivitete për fëmijët e të rinjtë, por ndihmojnë edhe familjet e Klinës e të territorit përreth saj, në bashkëpunim me bashkësinë vendore katolike. Gjatë verës, shtëpia e Karitasit të Umbrias në Kosovë do të jetë e hapur për të gjithë ata, që duan t’u shërbejnë më të varfërve e familjeve në nevojë.
Vizita e kardinalit Bassetti, kryeipeshkëv i Peruxhës, ishte edhe rasti për të verifikuar punën për ndërtimin e kompleksit të ri të Karitasit në Leskoc, i cili do të hapet vitin e ardhshëm. Për këtë projekt, që ka filluar para shtatë vjetëve, kanë kontribuar jo vetëm Karitasi i Umbrias, por edhe tetë dioqezat e saj. “Këto ditë – citohet kardinali Bassetti në një komunikatë të Konferencës Ipeshkvnore të Umbrias – mundëm të kontrollonim fazën përfundimtare të projektit. Në shtëpinë e re në Leskoc mund të strehohen adoleshentë, të rinj e miq, përveç familjes Mazzali, përgjegjëse për strukturën. Duhet të përfundojnë dy laboratore: një zdrukthtari, për të cilën i kemi mjetet e punës dhe, një pastiçeri-bukëpjekës, realizuar me ndihmën e provincës së Trentos, shoqatës “Litari” dhe shoqata “Fëmijët në botë”. Mjetet informatike i ka dhuruar ushtria italiane. E rëndësishme – përfundon kardinali – marrëveshja me ipeshkvin, imzot Gjergjin, për koordinimin e të gjitha veprimtarive bamirëse dhe përcaktimin e një projekti të përbashkët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.