2014-05-30 15:09:31

Papa: jeta e krishterë nuk është festë, por “gëzim në shpresë”


“Trishtimi juaj do të shndërrohet në gëzim!”. Premtimi, që Jezusi u bëri dishepujve të vet, ishte në qendër të vëmendjes në Meshën e mëngjesit, kremtuar nga Papa Françesku, në Shtëpinë e Shën Martës. E ishte himn për gëzimin e krishterë, homelia e sotme e Atit të Shenjtë, që nënvizoi se ky gëzim nuk mund të blihet e as të shitet, sepse, dhuratë e Zotit. Gëzimi i të krishterëve, shtoi Papa, është gëzim në shpresë, gëzim, që buron nga një shpresë e jashtëzakonshme.RealAudioMP3

Shën Pali ishte shumë guximtar, sepse kishte forcën e Hyjit. Papa Françesku e shtjelloi homelinë, duke u nisur pikërisht nga ky mendim e duke e përqendruar të tërën mbi gëzimin e krishterë. Natyrisht, shtoi, nganjëherë edhe Apostulli i Popujve kishte frikë. S’ka njeri në botë, që të mos ketë ndjerë sadopak frikë. E edhe Shën Pali, duke e ndjerë këtë frikë, nuk mund të mos e pyeste veten: “A nuk do të ishte më mirë ta ulja sadopak nivelin, të isha më pakëz i krishterë e të hyja në udhën e kompromisit me botën?”. Pyeste kështu, nga që e dinte se fjala e tij e vepra e tij nuk i pëlqenin aspak judenjeve e as paganëve. Megjithatë, nuk ndalet. E prej këndej, duhet të durojë probleme e persekutime. Kjo, shtoi Papa, na bën të mendojmë për frikën tonë, druajtjen tonë. Edhe Jezusi në Gjetseman pati frikë. U mbërthye nga ankthi. E kur po ndahej nga dishepujt, në përfundim të Darkës së Mbrame, u tha qartë se bota do të gëzohej për vuajtjet e tyre, do të dëfrehej me martirizimin e tyre, siç ndodhi me martirët në Koloseum:
E ne duhet të themi të vërtetën: jo e gjithë jeta e krishterë është festë. Jo e gjitha. Ka edhe lot. Shpesh ka edhe lot. Kur ti je i sëmurë, kur ke ndonjë problem në familje, me djalin, me vajzën, me gruan; kur shikon se rroga nuk të del deri në fund të muajit e për më tepër ke edhe një fëmijë të sëmurë; kur shikon se nuk je në gjendje të paguash kredinë e shtëpisë e të duhet të ikësh nga sytë këmbët… Shumë probleme; probleme, që nuk i mungojnë askujt…Por Jezusi na thotë: ‘Mos kini frikë!’. Po, do të trishtoheni, do të qani e njerëzit, që ju rrethojnë edhe do të gëzohen. Do të gëzohen kundërshtarët tuaj”.
Nuk duhet harruar, shtoi Papa, se ka edhe një trishtim tjetër: trishtimi, që na e pushton shpirtin, kur hyjmë në udhë pa krye. Kur shkojmë e e blejmë gëzimin, e blejmë harenë. Blejmë gëzimin e harenë e kësaj bote, atë të mëkatit, që në fund, na lë në shpirt shijen e hidhur të trishtimit. E ky, shtoi, është trishtimi i gëzimit të keq. Ndërsa gëzimi i krishterë është gëzim shprese, që vjen ndoshta vonë, por vjen patjetër. Vjen…
“Por në çastin e provës, ne nuk e shohim. Është gëzim, që pastrohet nga provat; edhe nga provat e përditshme: ‘Trishtimi juaj do të shndërrohet në gëzim’. Kur ti shkon tek ndonjë i sëmurë a tek ndonjë e sëmurë, që vuan shumë, nuk e ke aspak të lehtë t’i thuash: ‘Guxim! Guxim! Nesër do të gëzohesh përsëri!’. Jo, nuk mund t’i themi kështu! Duhet ta bëjmë ta ndjejë gëzimin, siç bëri Jezusi. Edhe ne duhet ta ndjejmë, kur jemi të zhytyr në errësirë, kur nuk shikojmë asnjë rreze drite para nesh. Duhet ta ndjejmë e t’i themi Zotit: ‘E di, o Zot, se ky trishtim do të shndërrohet në gëzim. Nuk e di sesi, po e di’. Është akt besimi në Zotin, ky. Akt feje”.
Për ta kuptuar trishtimin, që shndërrohet në gëzim, vijoi Papa, Jezusi përdor shembullin e lehonës. Është e vërtetë se gruaja vuan shumë gjatë lindjes, por kur e merr ferishten në krahë, i harron të gjitha. Pushtohet nga gëzimi i jetës së re. Ajo që mbetet, është gëzimi i Jezusit, gëzim i pastruar nga dhimbja. Ky është gëzimi, që mbetet, i fshehur në disa çaste të jetës, i pandjeshëm në çaste ankthi, por që nuk vonon të vijë, sepse, gëzim shprese. Prej këndej, mesazhi i Kishës sot është: “Mo ki frikë!”:
“Të jesh guximtar në vuajtje e të mendosh se më pas vjen Zoti, vjen gëzimi, se pas errësirës, del dielli. Zoti na e dhëntë të gjithëve këtë gëzim në shpresë. E shenja, që tregon se e kemi këtë gëzim në shpresë, është paqja. Sa e sa të sëmurë, që numërojnë çastet e fundme të jetës, ndonëse të pushtuar nga dhimbjet, e kanë këtë paqe në shpirt... Kjo është fara e gëzimit, është gëzimi në shpresë, paqja. ‘Ti e ke paqen në shpirt në çastin e errësirës, në çastin e vështirësisë, në çastin e persekutimeve, kur të gjithë kënaqen për të keqen tënde? Ke paqe? Nëse ke paqe, ke farën e gëzimit, që vjen pas’. Zoti na bëftë t’i kuptojmë këto gjëra”.








All the contents on this site are copyrighted ©.