2014-05-30 17:08:52

Katolikentag. Papa ndërtoni ura dialogu, jo mure!


“Ne, të krishterët, e kemi për detyrë të ndërtojmë ura lidhjesh, pa harruar të kujdesemi për kufinjtë”. E nënvizon këtë Papa Françesku, në Mesazhin drejtuar pjesëmarrësve në Katolikentag, apo në Ditën e 99-të të katolikëve, takim i përvitshëm i katolikëve gjermanë, që nisi të mërkurën e kaluar e do të përfundojë të diel.
Ndërtoni ura dialogu me Jezusin e ndërmjet jush e bëhuni bashkëpunëtorë të vlefshëm në ndërtimin e urave për paqen e shëlbimin e amshuar.
Kur në botë ngrihen mure, do të thotë se janë ngritur më parë në zemra. E ka të qartë Papa këtë, e ua shpjegon edhe katolikëve gjermanë, mbledhur në Regensburg për Ditën e tyre të 2014-tës, që na kujton lindjen e saj, në atmosferën e Luftës I Botërore. Historia na mëson, pohon Ati i Shenjtë, se dialogu nuk është gjë e lehtë.
Sapo kanë kaluar njëqind vjet nga koha kur njerëzit e mohuan dialogun. Si pasojë shpërthei Lufta e tmerrshme Botërore, pasuar nga luftëra të tjera edhe më të tmerrshme. Në zemra u ngritën mure mosbesimi, zemërimi, urrejtjeje për të tjerët. Njeriu u mbyll në inatet e veta e nisi të ngrejë mure, më parë në zemër të vet, e pastaj ndërmjet zemrave, ndërmjet shtëpive, ndërmjet kufijve, duke e bërë, kështu, tejet të vështirë pajtimin.
Mendime, këto të Papës, që posaçërisht në Gjermani, peshojnë rëndë, sa Muri i Berlinit, që “solli shumë dhimbje e ndarje” shkruan Françesku. Por pastaj, shton, njerëzit nisën të mblidhen në kisha e të luten për paqe. E përmes forcës së lutjes dolën në qytetet e tyre, javë pas jave, gjithnjë më shumë. E më në fund, Muri i Berlinit u shemb e në nëntor mbushën 25 vjet nga kjo shembje. Ky, theksoi Papa është, misioni i të krishterëve: të luten e pastaj të dalin e t’ua çojnë të gjithëve Lajmin e Mirë, për të cilin ka aq shumë nevojë njerëzimi.Të ndërtojmë ura me Krishtin - bën thirrje Papa - do të thotë mbi të gjitha, të lutemi. Lutja nuk është rrugë pa dalje. Është dialog. Krishti na përgjigjet, Zoti na ndihmon. Por, kujdes, tërheq vëmendjen Papa, Krishti nganjëherë flet me zë shumë të ulët. Flet përmes Ungjillit e përmes takimeve me vëllezërit tanë. Ajo që ka rëndësi, është të rrimë zgjuar e ta lexojmë shpesh Ungjillin.







All the contents on this site are copyrighted ©.