2014-05-29 13:23:15

Martinez: dhuratë e madhe, takimi i botës karizmatike me Papën


“Dhuratë pa precedent”: kështu e quajnë organizatorët e Asamblesë së 37-të të Përtëritjes në Shpirtin Shenjt, takimin e botës karizmatike italiane dhe ndërkombëtare me Papën Françesku, të dielën, në Stadiumin Olimpik të Romës. Anëtarët e Lëvizjes do të mblidhen në Romë të dielën në orën 17.00, me Atin e Shenjtë, por do të vazhdojnë veprimtaritë e tyre edhe të hënën, më 2 qershor. Për të na folur më gjatë për këtë takim, ftuam në studio kryetarin e Përtëritjes në Shpirtin Shenjt për Italinë, Salvatore Martinez:RealAudioMP3
“Kairos” është një kohë e mrekullueshme, kohë e volitshme, kohë e paprogramueshme, që jetohet: është dhuratë. E kjo dhuratë është vërtetë pa precedent, gur kilometrik në historinë tonë: zhvendosemi nga një vend i mbyllur në një vend publik, në një areopag të ungjillëzimit të ri e ky është fakt pa precedent. Njëkohësisht, prania e Papës, i cili nuk ka marrë pjesë kurrë në një program të Përtëritjes në Shpirtin Shenjt, kurrë nuk ka hyrë në Stadiumin Olimpik për të kryesuar një çast kaq intesiv lutjeje, përshpirtërie, dëshmie, dëgjimi. Më duket se kjo ngjarje ka shumë kuptime, shumë risi e, edhe privilegje, që na përgjegjësojnë, sepse e kuptojmë shumë mirë ç’dhuratë është. Përmes nesh, e jo vetëm për ne, Papa dëshiron të japë një mesazh shumë të rëndësishëm në prag të Rrëshajve, të nxisë kthimin në Shpirtin Shenjt, kthimin në jetën shpirtërore, nevojën për ta jetuar me shpirt fenë.
Si lindi ideja për ta thirrur Papën Françesku në stadium?
Së pari, ideja për ta zhvendosur nga Rimini, në një vend të qendrës së Italisë, Asamblenë tonë. Më 9 shtatorin e kaluar, duke folur me Atin e Shenjtë për këtë dëshirë, pasi ai konfirmoi gatishmërinë për të ardhur, pamë në këtë miratim, në këtë gjykim, rastin për të realizuar një grumbullim të ri tonin. Që kjo ëndërr e kjo gatishmëri e Papës vinin nga vetë Zoti e provuam menjëherë, pas një muaji e gjysëm, pra në shkurt, kur stadiumi ishte mbushur plot e përplot. Prandaj, nuk qe e vështirë t’i zhvendosnim njerëzit, sepse kur ekziston ajo dëshirë në zemër e kur shfaqet haptas nga të gjithë, atëherë kuptohet se kemi të bëjmë me “kairos” (kohë e volitshme, kohë e Zotit).
Papa Françesku ka marrëdhënie të veçanta me Lëvizjen “Përtëritja në Shpirtin Shenjt”, apo jo?
Nuk kemi asnjë meritë e asnjë vlerë për këtë. Papa ka pasur marrëdhënie miqësore, familjare e atërore me të gjitha lëvizjet, me të gjitha bashkësitë. Sigurisht, duke qenë pikë referimi për Lëvizjen në Argjentinë, ka pasur mundësi të shohë nga afër, të ndjekë drejtpërdrejt e me kujdes rrugën dhe zhvillimin e saj. Po botojmë tani një libër të vogël me titull “Kardinali Bergoljo dhe Përtëritja në Shpirtin”, në të cilin flitet për këto takime, pasqyrohen homelitë, shkrimet dhe ndërhyrjet e Papës gjatë këtyre viteve.
Pyetja e fundit: çfarë prisni nga kjo ngjarje?
Pikë së pari, kthimin në udhën e Zotit: kthimi nuk është vetëm fjalë e fesë, është edhe fjalë laike, do të thotë “ndryshim”. E pastaj, besimi: është e nevojshme të besojmë. …e të marrim Shpirtin Shenjt, pra një Vetje: është Vetje kaq e çmuar, kaq e fuqishme, kaq e domosdomoshme, sa nuk duhet lënë diku thellë në sirtarin e kujtimeve. Për Shpirtin Shenjt duhet të flasim e ta dëshmojmë përditë.








All the contents on this site are copyrighted ©.