Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria ‘Në këto kohët e fundit” par. 55,
56
Ç’duhet bërë, për ta njohur më mirë Marinë? Për ta parë këtë Yll të bukur të detit?
E kush do të jenë ata, që do të radhiten përkrah saj në luftën përfundimtare të së
mirës me të keqen, të Hyjit me djallin? E si do të jenë, ata që do të korrin fitoren
përfundimtare? Përgjigjet Shën Luigji Maria Grignion de Monfort përmes veprës “Traktat
i devocionit të vërtetë për Marinë”, kapitulli “Maria ‘Në këto kohët e fundit”, paragrafi
55, 56
55. Së fundi,
Hyji deshi që Nëna e tij e Shenjtë të jetë sot më e njohur, më e dashur, më e nderuar
se kurrë ndonjëherë; gjë që do të ndodhë pa asnjë dyshim, nëse të paracaktuarit do
të hyjnë, me hirin e dritën e Shpirtit Shenjt, në praktikën shpirtërore e të përkryer,
që do t’ua rrëfej në vijim. Atëherë do ta shohin qartë, përsa ua lejojnë caqet e fesë,
këtë yll të bukur të detit e do të prekin portin e mirë, pavarësisht nga stuhitë e
piratët, duke ndjekur sjelljen e saj; do ta njohin madhështinë e kësaj sovraneje e
do t’i kushtohen plotësisht shërbimit të saj, si nënshtetas e skllevër në dashuri;
do të shijojnë ëmbëlsinë e saj e mirësinë amtare e do ta duan me gjithë shpirt, si
bij të dashur; do ta njohin mëshirën, me të cilën ajo është përplot e nevojën për
ndihmën e saj e do të ngarendin kah Ajo për gjithçka i shqetëson, si tek avokatja
e ndërmjetësuesja pranë Jezu Krishtit; do ta marrin vesh se ajo është mjeti më i sigurt,
më i lehtë, më i shpejtë e më i përsosur për të shkuar tek Jezu Krishti e do t’ia
kushtojnë korp e shpirt, pa asnjë kusht, për t’i përkitur, si ajo, Jezu Krishtit.
56.
Po kush do të jenë këta shërbëtorë, skllevër e bij të Marisë? Do të jenë zjarr
i përflakur, shërbëtorë të Zotit, që do ta kallin botën me zjarrin e dashurisë hyjnore. Do
të jenë shigjeta të mprehta në dorën e fuqishme të Marisë për t’i shporuar tej për
tej armiqtë e saj. Do të jenë bijtë e Levit, të pastruar plotësisht nga zjarri
i turbullirave të mëdha e tejet të bashkuar me Hyjin, që do të kenë arin e dashurisë
në zemra, kemin e uratës në shpirt e mirrën e pendesës në korp. Do të jenë shkulm
i erëmirës së Jezu Krishtit për të varfërit e të vegjlit, e duhmë e mortjes për të
mëdhenjtë, të pasurit, krenarët e kësaj bote.