2014-05-27 15:41:43

Biseda e Papës me gazetarët


Me meshën e kremtuar në Çenakull, u mbyll dje udhëtimi i Papës në Tokën e Shenjtë, shtegtim i dendur treditor, shumë domethënës dhe plot emocione. Pavarësisht nga lodhja, gjatë fluturimit Papa foli për rreth 50 minuta me gazetarët, dhe iu përgjigj pyetjeve në lidhje me temat aktuale më delikate.RealAudioMP3
Papa Françesku iu përgjigj në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë pyetjeve gjithëpërfshirëse të gazetarëve, duke filluar nga ajo në lidhje me ftesën drejtuar dy presidentëve Peres e Abbas për t’u lutur për paqen në Vatikan.

“I lutem shumë Zotit, që këta dy drejtues, këto dy qeveri, të kenë guximin për të ecur përpara. Kjo është udha e vetme për paqen”

Për Jeruzalemin Papa foli nga pikëpamja fetare, si “qyteti i paqes së tri feve”. Pohoi edhe se me Patriarkun Bartolomeu ka folur për bashkimin, duke thënë se “bashkimi bëhet udhës, bashkimi është ecje. Nuk mund ta bëjmë bashkimin me një kongres teologjie”, siç i kishte thënë Atenagora Palit VI: “Ne të ecim së bashku, të qetë, dhe të gjithë teologët t’i vëmë në një ishull, që të diskutojnë me njëri-tjetrin!”. Njëra ndër pikat për të cilat foli me gazetarët është ajko që ka të bëjë me Pashkët, që edhe sot katolikët dhe ortodoksët i kremtojnë në data të ndryshme:

“Sepse është pak qesharake: ‘Po më thuaj, kur ringjallet Krishti yt?’. ‘Javën tjetër’. ‘Eh, i imi u ringjall javën e shkuar’... data e pashkëve është shenjë e bashkimit!”.

Ndërsa për marrëdhëniet me Bartolomeun Papa tha:

“Me Bartolomeun flasim si vëllezër! Kemi dashuri për njëri-tjetrin dhe i tregojmë njëri-tjetrit vështirësitë e qeverisjeve tona. Një gjë për të cilën kemi folur mjaft është problemi i ekologjisë. Ai është shumë i shqetësuar. Edhe unë. Kemi folur mjaft për bashkëpunimin në lidhje me këtë problem”.

Një pyetjeje në lidhje me abuzimin me të miturit nga ana e meshtarëve iu përgjigj se është si të tradhëtosh Trupin e Zotit, “si të kremtosh një meshë të zezë”, dhe gjatë hetimeve “nuk do të ketë të përkëdhelur”, nuk do të ketë të privilegjuar. Pastaj njoftoi për një takim:

“Javën e ardhshme do të kemi një meshë në Shtëpinë e Shën Martës, me gjashtë ose tetë vetë, që kanë pësuar shpërdorimet, dhe pastaj një mbledhje me ta: unë dhe ata... Në këtë drejtim duhet të ecim përpara, përpara. Zero tolerancë”.

Për sa i përket reformës së Kurjes vërejti se punët kanë ecur mirë: po punohet për ta lehtësuar strukturën, “për shembull duke i bashkuar dikasteret”. “Njëra ndër pikat kyçe ka qenë ajo e ekonomisë”: në korrik dhe shtator do të zhvillohen mbledhjet e ardhshme. Në lidhje me shkandujt, kujtoi se Jezusi ka thënë se është e pashmangshme që të ndodhin: “Jemi njerëzorë, mëkatarë, të gjithë. Dhe do të ndodhin”: “problemi është të shmangim shtimin e tyre”. Në administrimin ekonomik nevojitet ndershmëria dhe transparenca. Pastaj Papa citoi etërit e Kishës: “Ecclesia semper reformanda”, “duhet të jemi të vëmendshëm dhe ta reformojmë Kishën çdo ditë, sepse jemi mëkatarë, jemi të dobët”. Për sa i përket IOR-it kujtoi se janë mbyllur qindra llogari të atyre që nuk kishin të drejtë t’i hapnin. “IOR-i, tha Papa, ekziston për të ndihmuar Kishën”.
Duke folur për Sinodin për familjen u shpreh se i vjen keq që disa vetë, edhe brenda Kishës, thjeshtojnë gjithçka në kazuistikën e Kungimit apo jo të të divorcuarve të rimartuar. Siç kishte pohuar më parë Benedikti XVI – nënvizoi Françesku – duhen studiuar procedurat e pavlefshmërisë dhe duhet sqaruar se “të divorcuarit nuk janë të çkishëruar” sepse “shpesh herë janë trajtuar si të çkishëruar”.
Në lidhje me beqarinë e meshtarëve theksoi se është një rregull jetë që ai e vlerëson, “është dhuratë për Kishën”, por “nuk është dogmë”, prandaj “dera është gjithmonë e hapur”, edhe pse ka tashmë meshtarë katolikë të martuar, në ritet lindore.
Pastaj Papa foli për udhëtimet e ardhshme në Azi: Kore e Jugut, në gusht, dhe Sri Lanka e Filipine, programuar në janar, në zonat e goditura nga tsunami. Foli edhe për të krishterët e përndjekur: “Sot ka më shumë martirë se në kohët e hershme të Kishës”. Dhe për sa i përket sistemit të sotëm ekonomik, përsëriti ai se vret dhe përjashton, sepse komandon paraja. Pastaj iu përgjigj pyetjes në lidhje me tërheqejn nga papnimi:
“Unë do të bëj atë që Zoti do të më thotë të bëj. Të lutem, të kërkoj vullnetin e Hyjit. Benedikti XVI nuk kishte më forca dhe, me ndershmëri, si njeri me fe, i përvuajtë, mori atë vendim. Para shtatëdhjetë vjetësh nuk ekzistonin ipeshkvinjtë e nderit. Çfarë do të ndodhë me Papët e nderit? Duhet ta shohim Benediktin XVI si institucion. Ai hapi një derë, derën e Papëve të nderit. Dera është e hapur, a do të ketë të tjerë apo jo, vetëm Hyji e di. Unë besoj se një ipeshkëv i Romës, nëse humb forcat, duhet t’i shtrojë vetes të njëjtat pyetje që i shtroi Papa Benedikti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.