2014-05-26 17:37:50

Çenakulli na kujton si duhet të jetë i krishteri: kështu Papa Françesku, në meshën, që mbylli shtegtimin e tij apostolik në Tokën Shenjte


Përfundon sot shtegtimi i Papës Françesku në Tokën Shenjte, akoma me jehonën e jashtëzakonshme të ditës së djeshme, më intensivja e udhëtimit. Veprimtaritë arritën kulmin me kremtimin ekumenik mbi Varrin e Krishtit në Jeruzalem, për herë të parë, në praninë e të gjithë ipeshkvijve të krishterë të Tokës Shenjte e të Patriarkut ortodoks Bartolomeu. Por pikë kulmore ishte edhe nënshkrimi i deklaratës së përbashkët i Papës e Patriarkut, 50 vjet pas fillimit të udhës ekumenike me takimin ndërmjet Palit VI dhe Atenagorës. E pa dyshim, ftesa e Papës drejtuar presidentit të Izraelit e atij të Palestinës për t’u lutur së bashku në “shtëpinë e tij” në Vatikan pati jehonë të fuqishme.RealAudioMP3
Sot, Ati i Shenjtë e nisi ditën me vizitën tek Myftiu i Madh i Jeruzalemit, për të vënë më vonë lutjen e tij në një nga vrimat e Murit të Lotëve e një kurorë mbi varrin e Theodor Herzl, themeluesit të Lëvizjes Sioniste, pjesë kjo e protokollit të vizitës së çdo kreu shteti në Izrael. Më pas, Papa Françesku u lut për viktimat e nazizmit në Memorialin e Yad Vashem-it e nënshkroi Librin e Nderit të mauzoleumit. Para mesditës, u takua me dy Rabinët e Mëdhenj të Izraelit, atë të bashkësisë ashkenazite dhe atë të bashkësisë sefardite, për t’i bërë më vonë, një vizitë kortezie presidentit të shtetit të Izraelit, Simon Peresh, Çmim Nobel për Paqen. U takua më pas, me kryeministrin izraelit dhe i bëri sërish një vizitë private Patriarkut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I, në kishën ortodokse “Viri Galileai” në Malin e Ullinjve, duke i kthyer kështu vizitën e djeshme të Patriarkut në Delegacionin Apostolik të Jeruzalemit. Pasdite, takimi me meshtarët, rregulltarët e seminaristët në kishën e Gjetsemanit e pastaj, mesha në Çenakull, që e mbyll udhëtimin e Papës Françesku, i cili sonte kthehet në Vatikan.
I gjithë shtegtimi i Atit të Shenjtë qe një takim i madh, i tij personal dhe i gjithë Kishës me Jezusin, takim i ditëve tona, që po zhvillohet edhe tani, aty ku Krishti kaloi Darkën e Mbrame me Apostujt; aty ku, i ringjallur, u duk në mesin e tyre; aty ku Shpirti i Shenjtë zbriti me fuqi mbi shën Marinë e dishepujt; aty ku lindi Kisha. Që andej, ajo u nis, me Bukën e thyer në duar, me plagët e Jezusit në sy e me Shpirtin e dashurisë në zemër.

Të nisesh, të dalësh, tha Papa Françesku gjatë homelisë së meshës në Çenakull, nuk do të thotë të harrosh. Kisha e ruan kujtimin e ngjarjeve që kanë ndodhur para 2000 vjetëve. Shpirti i Shenjtë i kujton asaj çdo gjest, çdo fjalë dhe i zbulon përherë kuptimin e tyre:
“Çenakulli na kujton shërbimin, larjen e këmbëve nga ana e Jezusit, si shembull për dishepujt e tij. T’ia lajmë këmbët njëri-tjetrit do të thotë ta mirëpresim, ta pranojmë, ta duam, t’i shërbejmë tjetrit. Do të thotë t’u shërbejmë të varfërve, të sëmurëve, të mënjanuarve”.
Çenakulli, vazhdoi Papa, me Eukaristinë, që u kremtua në Darkën e Mbrame, na kujton flijimin. Në çdo kremtim eukaristik, Jezusi ia ofron Atit vetveten për ne, që të mund të bashkohemi me Të, duke i ofruar edhe ne Zotit jetën tonë, punën, gëzimet e dhimbjet tona. Të ofrojmë gjithçka si flijim shpirtëror, theksoi Ati i Shenjtë, që më pas përmendi një qëndrim tjetër të të krishterit, të cilin na e kujton Çenakulli:
“Çenakulli na kujton miqësinë: ‘Nuk ju thërras më shërbëtorë – u tha Jezusi të Dymbëdhjetëve - …unë ju quajta miq’ (Gjn 15,15). Zoti na bën miq të tij, na beson vullnetin e Atit e na dhuron vetveten. Kjo është përvoja më e bukur e të krishterit e, në veçanti, e meshtarit: të bëhen miq të Jezusit Zot e të zbulojnë me zemër se Ai është mik”.
Ati i Shenjtë tha më pas se vendi ku po kremtohej mesha kujton edhe largimin e Mësuesit e premtimin për t’u mbledhur sërish me miqtë e vet. Në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi u premton dishepujve se pasi të largohej prej tyre, do të kthehej prapë e do t’i merrte me vete, që “aty ku të jem unë, të jeni edhe ju”, u pati thënë. Jezusi, theksoi Papa Françesku, nuk na lë, nuk na braktis kurrë, na paraprin në shtëpinë e Atit e na do edhe ne me Të. E pastaj:
“Çenakulli na kujton edhe meskinitetin, kuriozitetin – ‘kush është ai që tradhton?’ – tradhtinë. E mund të jetë secili prej nesh - e jo vetëm, jo gjithnjë të tjerët - ata që i rijetojnë këto qëndrime kur e shohim vëllain tonë nga lart, kur e gjykojmë; kur me mëkatet tona e tradhtojmë Jezusin”.
E Papa përmendi karakteristikat e tjera të të krishterit, si vëllazëria, harmonia, paqja, që kanë buluar pikërisht nga Çenakulli. Sa dashuri ka rrjedhur prej këndej, nënvizoi Ati i Shenjtë, është burimi i një lumi, në fillim, vetëm përrua, i cili pastaj zgjerohet e bëhet i madh. Të gjithë shenjtorët kanë pirë këtë ujë, tha Papa, ujin e lumit të madh të shenjtërisë së Kishës, që e ka këtu zanafillën e ushqehet sërish e sërish nga Zemra e Krishtit, nga Eukaristia, nga Shpirti i Shenjtë:
“Së fundi, Çenakulli na kujton lindjen e familjes së re, të Kishës, të kësaj Kishe të shenjtë e hierarkike, themeluar nga Jezusi i ringjallur. Familje që ka Nënën e vet, Virgjërën Mari. Familjet e krishtera i përkasin kësaj familjeje të madhe e, në të, gjejnë dritën e forcën për të ecur e për t’u përtërirë, përmes mundit e sprovave të jetës. Në këtë familje të madhe jemi të ftuar e të thirrur të gjithë bijtë e Zotit, të çdo populli e gjuhe, të gjithë vëllezër e bij të Atit të vetëm, që është në qiell”.
Ky është horizonti i Çenakullit, përfundoi Papa, horizonti i Jezusit të Ringjallur dhe i Kishës. Që këndej niset Kisha në dalje, përdori Françesku një fjalë shumë të dashur për të, Kishë e nxitur nga fryma jetësore e Shpirtit të Shenjtë. Në lutje së bashku me Nënën e Jezusit, ajo është në pritje të dikimit të ri të Shpirtit të Shenjtë: Zbrittë Shpirti yt, o Zot, e rinoftë fytyrën e dheut” (shih Ps 104,30).








All the contents on this site are copyrighted ©.