2014-05-26 14:46:46

Takimi i Papës me Kryerabinët: t’i kundërvihemi antisemitizmit


Në Qendrën Heichal Shlomo, pranë Sinagogës së madhe të Jeruzalemit, Papa u takua me dy Kryerabinët e Izraelit. Jam posaçërisht i gëzuar për këtë takim me ju, u tha, e ju shpreh mirënjohjen për pritjen e ngrohtë e për fjalët e njerëzishme të mirëseardhjes, që më drejtuat.Ati i Shenjtë theksoi, në vijim, miqësinë që lidhi me shumë hebrenj, kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajres, duke kujtuar edhe se me të, sot, ishin aty dy miq rabinë.
Bashkë me ta, shpjegoi, organizuam një sërë nismash të frytshme takimi e dialogu, dhe jetuam çaste prekëse të jetës shpirtërore.RealAudioMP3
E këtë frymë miqësie, kujtoi Papa, e vijova edhe në muajt e parë të papnisë, me pritjen e organizatave të ndryshme dhe të përfaqësuesve të hebraizmit botëror. E kërkesat për takime të tilla vijojnë, duke iu shtuar shumë nismave në shkallë kombëtare e lokale, me dëshirën e përbashkët për t’u njohur më mirë e për t’u lidhur më ngusht me lidhje vëllazërore.
“Kjo udhë miqësie është një nga frytet e Koncilit II të Vatikanit, e posaçërisht fryt i Deklaratës “Nostra aetate”, që peshoi e peshon shumë edhe tani, 50 vjet pas shpalljes së saj. E është dhuratë e Zotit, ajo që ndodhi gjatë dhjetvjeçarëve të fundit në marrëdhëniet ndërmjet hebrenjve e katolikëve, mrekulli e kryer nga Ai i Lumi, për të cilën duhet bekuar emri i Zotit”.
“Lavdërojeni Zotin e Zotave,/ Sepse e amshueshme është dashuria e Tij!/ Ai, i vetmi, bëri mrekulli të mëdha,/ sepse e amshueshme është mëshira tij!”//, brohoriti Françesku, me fjalët e Psalmistit.
Në vijim kujtoi impenjimin e shumë njerëzve, nga të dyja palët, për thellimin e dialogut, duke u ndaluar, në mënyrë të veçantë, tek dialogu ndërmjet Rabinatit të Madh të Izraelit dhe Komisionit të Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet fetare me hebraizmin:
“Dialog ky që, i frymëzuar posaçërisht nga vizita e Shenjtit Atë Papë, Gjon Palit II në Tokën Shenjte, pati nisur në vitin 2002 e tashmë mbush dymbëdhjetë vjet jete. Më pëlqen të mendoj, duke pasur parasysh Bar Mitzvah të traditës hebraike, se ai tashmë po shkel në moshën e pjekurisë: e unë kam besim se do të vijojë e do të ketë para një ardhmëri të ndritur”.
Jemi të thirrur, nënvizoi me forcë Françseku, si të krishterë e si hebrenj, ta njohim thellësisht domethënien shpirtërore të lidhjes, që na bashkon. Lidhje, e cila vjen nga lart, shkon përtej vullnetit tonë e mbetet një e tërë, pavarësisht nga vështirësitë e jetuara në rrjedhë të historisë.
Papa ripohoi se katolikët i pranojnë plotësisht rrënjët hebraike të fesë së tyre, duke shprehur besimin se edhe nga pala hebraike do të shtohet interesi për njohjen e krishterimit, posaçërisht nga ana a breznive të reja, edhe në Tokën Shenjte, tokë e bekuar e djep i fesë së krishterë.
Më pas, nënvizimi se njohja reciproke e trashëgimisë së përbashkët shpirtërore, vlerësimi për çka i bashkon të dyja palët e respekti për çka i ndan, mund të ndikojnë mbi udhën e zhvillimeve të ardhshme të marrëdhënieve, të cilat Papa i lëshoi në duart e Hyjit.
Në përfundim, theksoi fushat e mundshme të bashkëpunimit: kontributin e përbashkët për kauzën e paqes, dëshmimin, në një botë gjithnjë në ndryshim, të vlerës së përhershme të planit hyjnor të krijimit; qëndrimin e përbashkët e të vendosur kundër çdo forme të antisemitizmit e të diskriminimit:“Zoti na ndihmoftë të ecim me besim e forcë shpirtërore në udhët e tij. Shalom!" – ishte urimi e përshëndetja, para ndarjes, plot besim e shpresë, në vijim të shtegtimit në këto troje, pikëtakimi ndërmjet Hebraizmit e Kristianizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.