2014-05-26 16:15:14

Papa në kishën e Gjetsemanit: E gjithë Kisha është me të krishterët e Tokës së Shenjtë


Pas takimit privat me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës, Papa Françesku shkoi në kishën e Gjetsemanit, ku u lut me meshtarët, rregulltarët, rregulltaret dhe seminaristët. Kisha e Gjetsemanit gjendet pranë kopshtit të ullinjve dhe altari i saj ngrihet mbi gurin ku, sipas traditës, Jezusi u lut para se ta kapnin për ta gjykuar.RealAudioMP3
Në fillim të fjalës, që u drejtoi rreth 400 të pranishmëve, Papa kujtoi pjesën e Ungjillit sipas Lukës, ku tregohet se “Jezusi doli në malin e Ullinjve dhe nxënësit shkuan pas tij” (Lk 22,39). “Gjendemi në këtë vend të shenjtë – u tha Papa Françesku të pranishmëve – që u shenjtërua me lutjen e Jezusit, me ankthin e tij, me djersitjen e tij të përgjakshme; që u shenjtërua mbi të gjitha me “po”-në e tij ndaj vullnetit plot dashuri të Atit”. Në atë vend the në atë orë të lutjes së Jezusit u vendos drama e botës:
“Në atë orë, Jezusi ndjeu nevojën për t’u lutur dhe për të mbajtur afër vetes nxënësit e vet, miqtë, që e kishin ndjekur dhe kishin ndarë me të, nga afër, misionin e tij. Por këtu, në Gjetsemani, ndjekja bëhet e vështirë dhe e pasigurt; mbizotëron dyshimi, lodhja dhe tmerri”.
Papa foli për qëndrimet, që mbajnë nxënësit përballë vuajtjeve të Mësuesit hyjnor: disa ndjehen larg, të tjerë afër e disa të tjerë të pasigurt. “Do të na bëjë mirë të gjithë neve – tha – ipeshkvinj, meshtarë, njerëz të shuguruar, seminaristë, në këtë vend, ta pyesim veten: kush jam unë para Zotit tim, që vuan”.
Përballë Jezusit të vuajtur disa nxënës ikin nga frika, disa i zë gjumi, disa i mbyllin sytë para realitetit, por ka edhe nga ata për të cilët, si për Marinë dhe Gjonin, “kur gjithçka mbi Golgotë terratiset dhe çdo shpresë duket se ka marrë fund, vetëm dashuria është më e fortë se vdekja” dhe miqësia e Jezusit më e çmueshme se çdo gjë:
“Miqësia e Jezusit ndaj nesh, besnikëria e tij dhe mëshira e tij janë dhurata e paçmueshme, që na jep zemër për ta vijuar me besim ecjen tonë pas tij, pavarësisht nga rrëzimet tona, gabimet dhe tradhëtitë tona”.
Mirësia e Zotit, theksoi Papa, nuk na liron nga angazhimi për t’iu kundërvënë tunduesit, mëkatit, të keqes, tradhëtisë, “që mund ta përshkojnë jetën tonë meshtarake dhe rregulltare:
“E ndjejmë shpërpjesëtimin mes madhështisë së thirrjes së Jezusit dhe vogëlsinë tonë, mes lartësisë së misionit dhe brishtësisë sonë njerëzore. Por Zoti, me mirësinë e tij të madhe dhe me mëshirën e tij të pafundme, na merr përdore, që të mos mbytemi në detin e zhgënjimit”.
Duke përfunduar, Papa theksoi rëndësinë e pranisë së meshtarëve dhe rregulltarëve në Tokën e Shenjtë, që “është dhuratë e përgjegjësi”.
“Prania juaj këtu është shumë e rëndësishme. E gjithë Kisha ju është mirënjohëse dhe ju mbështet me anë të lutjes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.