2014-05-26 16:15:46

Papa, Peresh-it: paqja kërkon respektimin e lirisë e të dinjitetit të njerëzve


Nisi me një takim prekës, vizita e Papës në Pallatin Presidencial. Në hyrje, presidenti Peresh i paraqiti Atit të Shenjtë disa fëmijë të sëmurë rëndë nga kanceri, të cilët kishin shprehur qëkur dëshirën të takohen, para se të vdesin, me Françeskun, Papën, që i do aq shumë fëmijët. Takim i shkurtër, i ngarkuar më shumë me heshtje shprehëse e me emocione, sesa me fjalë. Në një situatë, kur çdo fjalë mund të duket e tepërt!RealAudioMP3

I ngrohtë, i përzemërt, premtues e më i gjatë se parashikimi, takimi me presidentin Peresh, në Pallatin Presidencial të Jeruzalemit, qytet, i cili ruan Viset Shenjte, të dashura për tri fetë, që adhurojnë Hyjin e Abrahamit:
“Viset Shenjte nuk janë muzeume, as monumente për turistë, por vende ku bashkësitë e besimtarëve e jetojnë fenë e tyre, kulturën e tyre, nismat e bamirësisë. Prandaj duhen mbrojtur vazhdimisht në shenjtërinë e tyre, duke pasur kujdes jo vetëm për të kaluarën, por edhe për njerëzit, që i frekuentojnë sot e do t’i frekuentojnë edhe në të ardhmen. Që Jeruzalemi të jetë vërtet qytet i paqes! Që të shndrisë plotësisht identiteti i tij e karakteri i tij i shenjtë, vlera e tij universale fetare e kulturore, si thesar për mbarë njerëzimin. Sa gjë e bukur është kur shtegtarë e vendas mund të hyjnë lirisht në Viset Shenjte e të marrin pjesë në kremtime”.
Papa e vlerësoi presidentin si njeri i paqes e krijues i paqes dhe i shprehu mirënjohjen për këtë frymë, kaq të domosdoshme në vise, ku s’ka paqe, ku ndjehet fort nevoja e respektit për lirinë dhe dinjitetin e çdo njeriu, i cili, siç besojnë ngultas hebrenj, të krishterë e myslimanë, u krijua nga Zoti e u paracaktua për jetën e pasosur. Pikë e përbashkët kjo, për Papën, nga e cila duhen nisur përpjekjet për rrugëzgjidhjen paqësore të grindjeve e të konflikteve:
“Duhet refuzuar vendosmërisht gjithçka, që i kundërvihet vijimit të ecjes në rrugën e paqes e të bashkëjetesës ndërmjet hebrenjve, të krishterëve e myslimanëve: përdorimi i dhunës, i terrorizmit dhe i çdo lloj diskriminimi për shkaqe racore ose fetare, pretendimi për të imponuar këndvështrimin tënd në dëm të tjetrit, antisemitizmi, në të gjitha format e veta, dhuna dhe të gjitha shprehjet e intolerancës kundër njerëzve a vendeve të kultit, hebreje, kristiane a myslimane”.
Më pas Papa kujtoi se në Shtetin e Izraelit jetojnë e punojnë bashkësi të ndryshme të krishtera. Janë pjesë përbërëse e shoqërisë, theksoi, e marrin pjesë, me të drejta të barabarta, në jetën civile, politike e kulturore. Besimtarët e krishterë, shtoi, dëshirojnë të sjellin, duke u nisur nga identiteti i tyre, kontributin për të mirën e përbashkët dhe për ndërtimin e paqes, si qytetarë me të drejta të plota që, larg çdo eskstremizmi, impenjohen për të krijuar frymën e pajtimit e të harmonisë:
“Prania e tyre dhe respektimi i të drejtave të tyre, ashtu si respektimi i të drejtave të çdo emërtimi fetar e i çdo pakice, janë garanci e pluralizmit të shëndetshëm dhe provë e gjallërisë së vlerave demokratike, të rrënjosjes së tyre reale në praktikën e në jetën konkrete të shtetit”.
Prekës, sa fillimi, aq edhe përfundimi i këtij takimi, kur Papa e siguroi kreun e shtetit izraelit se lutet për të, me besim se edhe presidenti lutet për Papën e, që të dy, luten për paqen, për vlerat që lidhen me të, për prosperitetin e vëllazërimin. Mendimi i fundit, për të gjithë ata, që vuajnë nga pasojat e krizës në Lindjen e Mesme, me shpresë se së shpejti plagët do të mbyllen e konfliktet do të marrin fund ndershmërisht:
“Paqe mbi Izraelin e mbi mbarë Lindjen e Mesme! Shalom!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.