2014-05-26 13:23:22

Fjalët e Papës në Yad Vashem


Një nga çastet kryesore të ditës së tretë të Papës në Tokën Shenjte, ishte vizita në Yad Vashem, monument tragjik, lartuar për të mos harruar Holokaustin, shfarosjen e hebrenjve në masë nga nazistët. Françesku e përshkoi në këmbë perimetrin e Mauzoleut, për të hyrë, më pas, në Sallën e Kujtimit, ku vendosi një kurorë lulesh dhe përshëndeti disa hebrenj, që dolën gjallë nga prova e madhe. Në këtë vend, Papa shqiptoi këto fjalë tronditëse, me vlera përgjithësuese e me ngjyrime të forta biblike:RealAudioMP3

“Adam, ku je? (cfr Zan 3,9).
Ku je, njeri? Ku përfundove?
Në këtë vend, memorial i Shoah, rijehon pyetja e Hyjit : “Ku je, Adam?”.
Në tingujt e kësaj fjale, gjithë dhimbja e Atit, që humbi birin.
Ati e njihte mirë rrezikun e lirisë; e dinte se biri mund edhe të humbiste… Por ndoshta as vetë Ati nuk mundi ta përfytyronte një theqafje të tillë, një greminë të tillë.
Britma: “Ku je?” këtu, përballë tragjedisë së pamatshme të Holokaustit, jehon si zë që humbet në honet pa fund…
Njeri? Ku je! Nuk njihesh më!
Kush je, njeri? Kush u bëre?
Ç’tmerre pate sy e faqe të kryesh?
Ç’të bëri të rrokullisesh poshtë e më poshtë?
Nuk është pluhuri i truallit, nga i cili të përftova! Pluhuri i truallit është gjë e mirë, vepër e duarve të mia.
E as fryma e jetës, që ta fryva në fejzat e hundës. Kjo frymë vjen nga unë, është gjë shumë mirë (cfr Zan 2,7)
Jo, ky hon nuk mund të jetë vetëm vepra jote, e duarve tua, e zemrës sate…. Kush të zvetënoi? Kush ishte ai, që ta mori fytyrën?
Kush ta ngjiti sëmundjen e pretendimit për të bërë tënden të mirën e të keqen?
Kush ta mbushi mendjen se ishe zot? Jo vetëm që i torturove e i mbyte vëllezërit e tu, por arrite deri atje, sa t’i flijoje në elterin e vetvetes, sepse t’u mbush mendja se ishe zot.
E sot zëri i Zotit jehon rishtas, këtu; “Adam, ku je?”.
Nga thellësitë e tokës lartohet një gjëmë e thellë: “Mëshirë për ne, o Zot!”.
Ty, o Zoti ynë, të përket drejtësia; ne, çnderimi i vulosur mbi fytyrë e turpi (cfr Bar 1,15).
Na pllakosi mbi kokë një e keqe që s’qe parë kurrë nën këtë qiell (cfr Bar2,2). E tani, o Zot, dëgjoje lutjen tonë, ahtin e zemrave tona, shpëtona, pash mëshirën tënde, na shpëto nga kjo përbindshëri!
O Hyj i gjithëpushtetshëm, një shpirt i pushtuar nga ankthi çon zërin kah ti. Dëgjoje, o Zot, e ki mëshirë!
Mëkatuam kundër Teje. Ti mbretëron përgjithmonë e jetës (cfr Bar 3, 1-2).
Kujtoju për ne, në mëshirën tënde! Jepnae hirin të turpërohemi prej veprës së duarve tona njerëzore, hirin të na vijë turp e marre nga kjo idhujtari e përbindshme, të tronditemi, duke menduar se përbuzëm e shkatërruam korpin tonë, atë, që Ti e mbrujte me baltë, që i dhe frymë jete me frymën tënde!
Kurrë më, o Zot, kurrë më!
“Adam, ku je?”
Ja ku jemi, o Zot, ngarkuar me marren e asaj, që njeriu, krijuar sipas fëtyrës e shembëllimit Tënd, qe i zoti të bëjë!Kujtoju për ne, në mëshirën tënde!







All the contents on this site are copyrighted ©.