2014-05-25 20:37:44

Yad Vashem pret Papën, atmosferë e re për Piun XII


Papa Françesku pritet me padurim edhe në Yad Vashem, në Jeruzalem, ku do të shkojë për vizitë të hënën paradite. Në Memorialin, përuruar në vitin 2005, u modifikua diçitura mbi rolin e Papës Piu XII gjatë Luftës II Botërore, shprehje e mirëpritjes të të rejave historike e arkivistike, që hedhin dritë të re pozitive mbi figurën e Piut XII dhe mbi veprimtarinë e tij humanitare në mbrojtje të hebrenjve të përndjekur nga nazistët. Pikërisht për këtë modifikim, intervistuam atë Giovanni Caputa, anëtar i Komisionit të vizitës papnore për mediat, studiues i marrëdhënieve hebraiko-kristiane dhe, nga vitet 2002 deri më 2012, sekretar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në bisedimet me Shtetin e Izraelit:

Përgjigje: - Dy ditë më parë, në Yad Vashem, drejtori, doktor Avner Shalev, mbajti një takim të shkurtër me shtypin kombëtar, për të paraqitur programin e kësaj vizite në formë të hollësishme. Theksoi, ndërmjet tjerash, se për Yad Vashemin është nder i veçantë të presë Papën Françesku, kreun e përfaqësuesin e një bashkësie prej një miliard e 300 milionë katolikësh. E pastaj kujtoi se njihen mirë marrëdhëniet tejet të përzemërta të Jorge Mario Bergoglios me hebrenjtë, kur ishte në Argjentinë, ku pati shprehur shumë herë mendime pozitive për hebraizmin e pati mbajtur qëndrim shumë të drejtë ndaj Shoah. Papa Françesku do të ndezë pishtarin në sallën e përkujtimit e do të marrë fjalën, përballë personaliteteve më të larta të Shtetit të Izraelit. Askush tjetër nuk do të mbajë ndonjë fjalim formal.

Pyetje: - Atë Caputa, në Muzeun e Holokaustit u modifikua diçitura poshtë fotos së Piut XII, që e akuzonte Papën për heshtjet e tij gjatë persekutimit nazist kundër hebrenjve. Si e gjykoni tekstin e ri?

Përgjigje: - Ishte, pra, një modifikim, që u bë pas viteve të kërkimeve shkencore e kështu, si paraqitet tani, diçitura është më e gjatë se e mëparshmja si dhe e formuluar më mirë. Mbi të gjitha, nuk titullohet e as kufizohet thjesht tek Piu XII e Holokausti, Shoah, por tek Vatikani e Shoah. Veç tjerash, e zbut gjykimin, që përmbante varianti i mëparshëm, duke pasur mirë parasysh arritjet e reja historike e arkivistike, nga të cilat del figura komplekse e Papës Paçeli, dalin kushtet tejet të ndërlikuara historike, por edhe ndihma që i dha shumë veprimtarive humanitare në favor të hebrenjve të përndjekur gjatë viteve të tmerrshme të persekutimit nazist. Këtu dëshiroj të shtoj një reflektim tjetër, që është element kronike, por edhe historie: javën e kaluar, ose dhjetë ditë më parë, në Knesset, organizohej një kremtim publik, kushtuar Shën Gjonit XXIII. Gjatë fjalimeve që u mbajtën, u nënvizua roli i madh i Anxhelo Ronkalit kur ishte nunc në Bullgari e, pastaj, edhe në Stamboll. U shpreh mirënjohje ndaj tij, sepse me të vërtetë i ndihmoi shumë njerëz të persekutuar të vinin në Izrael. Po këtë ndihmë Anxhelo Ronkali nuk do të mund ta jepte, pa miratimin e Papës Piu XII: sepse nuk mund të ndodhë që një ambasador të veprojë në kundërshtim me kryetarin e shtetit, që e ka dërguar. Është në vetë logjikën e shërbimeve si ky i nuncit, ose i delegatit apostolik t’i vërë në jetë fjalë për fjalë, siç mund të shprehemi, udhëzimet e dhëna nga vetë Papa. E, duke i marrë udhëzimet drejtpërdrejt nga Piu XII, Anxhelo Ronkali veproi ashtu si e kishte porositur Papa. Këtu dua të nxjerr një përfundim, që ndoshta është tepër personal, por më duket se përkujtimi i Gjonit XXIII është shenjë e njohjes, ndonëse jo të drejtpërdrejt, të rolit të Piut XII, që i ftoi dhe i inkurajoi me të gjitha forcat nuncët, jo vetëm në Bullgari, ose në Turqi, por edhe në Spanjë, në Portogali e gjetiu. Prej këndej, duke u rikthyer tek diçitura, ajo përfill edhe arritjet e fundit të kërkimeve shkencore historike, të cilat flasin me dokumente për shumë veprimtari humanitare që u zhvilluan drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Piu XII, në favor të të persekutuarve. Një pikë tjetër e rëndësishme është se diçitura e re cek një fragment nga Radiomesazhi i dhjetorit 1942, në të cilin Papa flet për fatin e qindra mijëra njerëzve të cilët, pa asnjë faj, shpesh për shkaqe që kishin të bënin me kombësinë e me faresfisin, u dënuan me vdekje ose me rrënim të plotë fizik e mendor. Fjalë këto, krejt të qarta, për atë që po ndodhte.

Pyetje: - E dimë se nuncët e fundit, si imzot Sambi, ashtu edhe imzot Franko, u përpoqën shumë për këtë modifikim…

Përgjigje: - Sigurisht imzot Sambi e imzot Franko, me të cilin pata kënaqësinë të bashkëpunoj, ftuan gjithnjë për një qëndrim objektiv. Më kujtohet mirë se në vitin e parë të misionit të tij këtu, në Izrael, imzot Franko nuk pranoi të shkonte në një kremtim publik në Yad Vashem, pikërisht sepse nuk ishte dakord me diçiturën, atë të mëparshmen, që i kundërvihej plotësisht të dhënave objektive e historike; për të mos kujtuar se pjesërisht ishte edhe fyese. Ky ishte fillimi i një dialogu të përzemërt, ashtu siç dinte të bënte imzot Franko, për t’i afruar studiuesit e të dyja palëve e për t’i nxitur të përqendroheshin tek dokumentet e arkivit, larg stereotipeve të gazetarisë sensacionalistike. Prej këndej studiuesit, këtu, në Izrael, e edhe në të katër anët e botës, e shikuan këtë si detyrë e nisën kërkimet në arkiva, ku vite me radhë shfletuan dokumentet e nevojshme. U arrit, kështu, në mars të vitit 2009, kur Yad Vashem në bashkëpunim me Fakultetin salezian të teologjisë në Jeruzalem, organizuan ditën e studimeve vetëm për specialistët. Aty dolën më mirë në pah qëndrimet e ndryshme, madje edhe ato kundërshtare, por ama u krijua klima e besimit, e mirëkuptimit ndërmjet historianëve për t’u dhënë fund toneve polemike ose ideologjike e për ta shikuar problemin mbi bazën e dëshmive e të dokumentev historike.








All the contents on this site are copyrighted ©.