2014-05-25 10:40:42

Takimi me Autoritetet Palestineze: paqja është e mundur, sepse jemi bij të të njëjtit Zot


Dita e dytë e udhëtimit të Papës Françesku në Tokën Shenjte. Sot paradite, Ati i Shenjtë ndodhet në Betlehem, ku po kremton meshën në Sheshin e Grazhdit, vendi i lindjes së Jezu Krishtit. Papa Françesku është takuar tashme më autoritetet palestineze e me presidentin Abu Mazen. Gjatë fjalimit të tij, Ati i Shenjtë preku problemet themelore të gjendjes në Lindjen e Mesme, iu drejtua autoriteteve dhe popujve palestinezë e izraelitë me urimin për të ecur me vendosmëri e guxim drejt paqes, së bazuar në njohjen e të drejtave të secilit. Gjithashtu, uroi të ketë më tepër siguri e të njihen nga të gjithë dy shtete, ai palestinez e ai izraelit, sipas kufijve të caktuar nga basghkësia ndërkombëtare. Vetëm kështu, tha Papa, mund të kemi një kuadër të qëndrueshëm referimi për të diskutuar e zgjidhur problemet e tjera e për të ofruar kështu, mundësinë e zhvillimit të ekuilibruar, i cili mund të jetë model për zona të tjera në krizë.
Papa nënvizoi kontributin e rëndësishëm që sjell bashkësia e krishterë vendore për gjithë shoqërinë. Të krishterët, nënvizoi Ati i Shenjtë, dëshirojnë të luajnë edhe më tej këtë rol, si qytetarë me të drejta të plota, së bashku me bashkëqytetarët e tjerë, që i konsiderojnë vëllezër.
Papa foli më pas edhe për marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, duke vënë në dukje punën për hartimin e një Marrëveshjeje ndërmjet palëve, që ka të bëjë me aspektet e ndryshme të jetës së bashkësisë katolike në vend. Veçanërisht, do t’i kushtohet kujdes lirisë fetare, një nga kushtet për paqen, vëllazërimin dhe harmoninë. Kjo, tha Papa, mund të jetë shenjë për botën mbarë, se e kemi për detyrë dhe është e mundur ta gjejmë një marrëveshje ndërmjet kulturave dhe feve të ndryshme; se gjërat e përbashkëta janë kaq shumë e kaq të rëndësishme, sa është e mundur të gjejmë një rrugë bashkëjetese të qetë, të rregullt e paqësore, duke pranuar ndryshimet, me gëzimin se jemi vëllezër, pasi bij të të njëjtit Zot.







All the contents on this site are copyrighted ©.