2014-05-25 17:27:02

Shteti i Izraelit


Është republikë pa kushtetutë të shkruar. Pushteti legjislativ i takon Asamblesë kombëtare (Knesset), përbërë nga 120 deputetë, të zgjedhur për katër vjet. Knesset zgjedh presidentin e republikës për një mandat prej pesë vjetësh. Kryeministri zgjidhet nga populli, por qeveria duhet të marrë miratimin e Knesset. Shteti i Izraelit u shpall si i tillë më 14 maj 1948, mbi bazën e një rezolute të OKB-së (1947), që parashikonte ndarjen e Palestinës në dy shtete, një arab e një hebraik. Pas refuzimit arab të ndarjes, njëra pas tjetrës, pasuan katër luftra (1948-49; 1956; 1967; 1973), e kështu, Izraeli e shtriu kontrollin mbi Sinai e mbi Rripin e Gazës (Rgjipt), mbi Çisjordaninë e mbi sektorin arab të Jeruzalemit (Jordania) e mbi Lartësitë e Golanit (Siria). Në vitin 1987, me ndërmjetësimin e SHBA-ve, Izraeli dhe Egjipti nënshkruan paqen (Marrëveshja e Cam David). Në vitet 1993-95, Izraeli e ka njohur autonominë e rezidentëve të Gazës e të disa qyteteve të Çisjordanisë, nën qeverisjen e një Autoriteti Palestinez, kryesuar nga Jaser Arafat. Në vitin 1994, u nënshkrua paqja me Jordaninë.
Izraeli kufizohet në veri me Libanin, në verilindje me Sirinë, në lindje me Jordaninë dhe me Shtetin e Palestinës, në jug me Egjiptin, ndërsa në veriperëndim me Detin Mesdhe e në jug me Gjirin e Akabasë. Rilievi përbëhet nga rrafshnaltat e Galilesë, të Samarisë e të Judesë. Drejt jugut, ultësira e përshkuar nga lumi Jordan është pjesërisht e zënë nga Deti i Vdekur dhe arrin në 395 metra nën nivelin e detit. Përgjatë Mesdheut, shtrihen fushat pjellore të Sharonit e të Sefelës; në jug, Shkretërira e Negevit.
Në vitin 1980, Knesset miratoi Ligjin Themelor për “Jeruzalemin e unifikuar, kryeqytet i përhershëm i Izraelit”. Rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e konsideron atë si pengesë për paqen në Lindjen e Mesme. Sipas deklaratës së OKB-së, të gjitha vendet, që kanë marrëdhënie me Izraelin, e kanë ambasadën në Tel Aviv.
Gjuha e folur në këtë vend, me sipërfaqe 20.700 km katrorë dhe me popullsi prej 7.908.000 banorësh, është hebraishtja dhe arabishtja. Popullsia përbëhet nga 77,2% hebrenj, 19,6% arabë dhe 3,2% etni të tjera. Feja hebraike ndiqet nga 76,1% e popullsisë, ajo myslimane nga 16,2%, ajo e krishterë nga 2,1%, pastaj vijnë drizët me 2,1% e të tjerë, me 4%. Monedha quhet ‘shekel’, ndërsa të ardhurat për frymë arrijnë në 33.433 dollarë amerikanë.








All the contents on this site are copyrighted ©.