2014-05-25 17:24:35

Papa në Tel Aviv: “Rrugëzgjidhja e dy shteteve të bëhet realitet e të mos mbetet ëndërr”. Dënim, atentatit në Belgjikë!


Pasi i drejtoi përshëndetjen e lamtumirës Palestinës, Papa u nis për në Tel Aviv, ku arriti rreth orës 16.00. Për ta pritur, në Aeroportin Ben Gourion, kishin dalë Presidenti Shimon Peres dhe kryeministri Beniamin Netanijahu, që i uruan Atit të Shenjtë mirëseardhjen.
Duke iu përgjigjur përshëndetjes, Papa theksoi karakterin e shtegtimit e të vizitës në këtë vend me histori mijëravjeçare, djep i lindjes së tri feve monoteiste: Hebraizmit, Kristianizmit e Islamit:RealAudioMP3 “Njëzet vjet lidhje diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Izraelit, kontribuan për krijimin e marrëdhënieve të mira e të përzemërta, që vijojnë të zhvillohen”.
Pastaj, shikimi i Papës u përqendrua tek Jeruzalemi, qytet me vlerë universale, emri i të cilit ka kuptimin “Qytet i paqes”. Po realiteti nuk është aspak paqësor. Prej këndej Papa bëri thirrje të shumëfishohen përpjekjet për të arritur në zgjidhjen e drejtë, afatgjatë e të qëndrueshme të konflikteve, që izraelitët dhe palestinezët të mund të jetojnë në paqe.
Papa Françesku përsëriti thirrjen e Benediktit XVI:
“Të pranohet universalisht se Shteti i Izraelit ka të drejtë të ekzistojë e të gëzojë paqe e siguri brenda kufijve të tij. E po kështu, të pranohet edhe se Populli palestinez ka të drejtë të ketë një atdhe sovran, të jetojë me dinjitet e të qarkullojë lirisht. Rrugëzgjidhja e dy shteteve të bëhet realitet e të mos mbetet ëndërr”.
Yad Vashemi, pastaj, në fjalën e Papës, që do ta vizitojë nesër këtë monument tragjik, i cili vijon t’i kujtojë botës 6 milionë hebrenjtë e shfarosur nga nazistët. Është simbol, vijoi Papa. Tregon se deri ku mund të arrijë ligësia e njeriut, e ushqyer nga ideologjitë, kur harron dinjitetin themelor të çdo njeriu, që kërkon respekt absolut, pavarësisht nga Kombi të cilit i përket e feja, që praktikon.
Duke kujtuar këtë të kaluar, Papa kërkoi të promovohet një edukim, ku përjashtimi e ndeshja i lëshojnë udhën pranimit e takimit e ku nuk ka vend për antisemitizëm e intolerancë kundër njerëzve e popujve:
“Me zemër thellësisht të trishtuar mendoj për ata, që humbën jetën në atentatin mizor, dje, në Bruksel. Duke e dënuar përsëri ashpërsisht këtë akt kriminal, që shpreh urrejtjen antisemite, ia besoj Hyjit të mëshirshëm viktimat dhe lutem për shërimin e të plagosurve”.
Koha e shkurtër e shtegtimit, tha në vijim Papa, nuk më krijon mundësi t’u shpreh afërsinë të gjithëve, e posaçërisht atyre, që jetojnë në Nazaret e në Galile, ku janë të pranishme shumë bashkësi të krishtera.
Së fundi Françesku inkurajoi ipeshkvijtë dhe besimtarët e krishterë që, me dëshminë ungjillore, të ngjallin kudo frymën e pajtimit e të faljes.
Kujtojmë se Papa arriti në Izrael me shkopin e shtegtarit, 50 vjet pas shtegtimit historik të Palit VI. Që asokohe kanë ndryshuar shumë gjëra e sot Selia e Shenjtë dhe Izraeli kanë marrëdhënie të mira, siç e dëshmojnë dy Marrëveshjet e nënshkruara e të ratifikuara, si dhe e treta, në përfundim e sipër.
Françesku e përshëndeti mbarë popullin e Izraelit, duke i uruar paqe e përparim e duke kujtuar posaçërisht Jeruzalemin:
“Paqja e prosperiteti zbritshin begatisht mbi Jeruzalemin, Qytetin e paqes, e mbi gjithë Izraelin. Hyji e bekoftë popullin e tij me paqe! Shalom!” .

Dita e sotme po i afrohet kulmit. Papa është në Delegacionin Apostolik në Jeruzalem, ku po takohet me Patrikun Ekumenik të Kostandinopojës. Pas shkëmbimit të dhuratave dhe çasteve të bisedës private, nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët. Pastaj, vizita tek Varri i Shenjtë i Krishtit, ku Françesku do të nisë kremtimin ekumenik përkrah me Bartolomeun I. Historik, ky kremtim, që na kujton atë të Palit VI me Patriarkun Atenagora, 50 vjet më parë, çastin e rrokjes së dy burrave, simbol i rrokjes së miliona të krishterëve në të katër anët e botës. Miliona, që e shikojnë Deklaratën e përbashkët të Françeskut e Bartolomeut, si një hap të ri në rrugën e bashkimit.Zbritja tek Varri i Krishtit e vizita në Malin e Kalvarit, ku Zoti ynë Jezu Krishti u kryqëzua e vdiq, për t’u ngjallur përsëri, duket sikur i hapin një shteg të ri udhës së gjatë ekumenike, shteg-ugur, që të gjithë të krishterët të jenë një, ashtu si dëshiron t’i shikojë vetë Zoti.







All the contents on this site are copyrighted ©.