2014-05-25 11:38:43

Papa: izraelitë e palestinezë, në Vatikan, për paqen


Papa hap dyert e shtëpisë së tij në Vatikan, ku fton presidentin izraelit dhe atë palestinez, për t’u lutur së bashku që të arrihet sa më shpejt paqja, kërkuar nga e gjithë bota. Ja fjalët e tij para lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Grazhdit në Betlehem:RealAudioMP3
“Në këtë Vend, ku u lind Princi i Paqes, dëshiroj t’ju ftoj juve, zoti President Mahmud Abas, dhe zotin President Shimon Peres, t’i lartojmë së bashku Zotit një lutje të fuqishme, për t’i kërkuar dhuratën e paqes. Ofroj shtëpinë time në Vatikan për të mikpritur këtë takim lutjeje.
Të gjithë e dëshirojmë paqen; shumë njerëz e ndërtojnë çdo ditë, me gjeste të vogla; shumë vuajnë e përballojnë me durim lodhjen e sa e sa përpjekjeve për ta ndërtuar. E të gjithë – sidomos ata, që e kanë vënë veten në shërbim të popujve të tyre – e kemi për detyrë të bëhemi mjete e ndërtues të paqes, para së gjithash, në lutje.
Të ndërtosh paqen është e vështirë, por të jetosh pa paqe është torturë. Të gjithë burrat e gratë e kësaj Toke dhe të botës mbarë na kërkojnë të çojmë para Zotit aspiratën e tyre të flaktë për paqe”.
Palestinezët e mbledhur në shesh shpërthyen në duartrokitje e brohoritje të fuqishme, duke treguar sa e kanë për zemër paqen e dëshiruar prej kohësh. E domethënës, edhe fundi i lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kur Papa bekoi të pranishmit njëkohësisht me lutjen e mesditës të hoxhës së Betlehemit, që u dëgjua qartë nga minarja e vendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.